Udhëtimi im në Shqipëri në kërkim të trashëgimisë myslimane të Europës

Shpërndaje

Në këtë ekstrakt të përshtatur nga libri i tij i fundit, Minare në Male, Tharik Hussain, zbulon një qendër historike të edukimit islam në kodrat piktoreske të jugut të vendit

Silueta e Gjirokastrës nisi të shfaqej në largësi. Ky qytet gjendet në jugun malor të vendit, i dominuar nga kështjella e tij antike, me shtëpi osmane prej guri të shekullit 17-18 që varen teposhtë si një mirazh nga mesjeta.

Dolëm nga autostrada në një rrugë të dominuar nga ndërtesa tetëkatëshe prej betoni dhe ballkone rozë, nën të cilët vendësit gjerbnin kafetë në diell ulur mbi mobiljet ngjyrë limoni.

“Kjo është Gjirokastra” na njoftoi me njëfarë triumfi Idari, miku ynë shqiptar nga Anglia.

“Po, ajo është, por unë kam ardhur të gjej Ergirin!” e ngacmova me shaka. Ergiri ishte emri osman për Gjirokastrën kur perandoria myslimane sundonte këtë pjesë të Shqipërisë ndërmjet 1417 dhe 1913. Pikërisht në mesin e kësaj periudhe, shoqëruesi im akademik në këtë udhëtim, eksploruesi 0sman i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Evlija Çelebiu erdhi në Ergiri.

Shtëpia e një tregtari osman në Gjirokastër, Shqipëri. Fotografia: Tharik Hussain

Imazhi popullor i Shqipërisë sot ndërtohet mbi pasqyrimet negative të udhëtarëve perëndimorë të fillimshekullit të njëzetë si Edith Durham, e cila e përshkruante Shqipërinë si pa ligj dhe, Rose Wilder Lane, e cila thoshte se shqiptarët po “jetonin në fëmijërinë e racës arjane” – duke lënë të kuptohet se ata ishin prapa saj në procesin evolutiv. Këto stereotipe janë përforcuar nga kultura popullore moderne. Në trilogjinë Taken të Hollivudit, Shqipëria reduktohet në një strehë trafikantësh të dhunshëm dhe të pashpirt të qenieve njerëzore dhe e vetmja referencë për besimin e tyre që mund të mbaj mend është kur ata shihen duke u betuar në Allahun për të marrë hap për vdekjen e djalit të tyre duke vrarë heroin amerikan të filmit. Nuk mbaj ndonjë pasqyrim të Islamit në Shqipëri përgjatë gjithë filmit.

Kisha lexuar vepra të panumërta rreth Ballkanit, por asnjëra prej tyre nuk e njihte kulturën myslimane të rajonit siç e njihte Evlija Çelebiu. Pa veprat e tij të përkthyera, Idari dhe unë nuk do ta kishim mësuar kurrë se si kishte qenë dikur Gjirokastra myslimane. Qartësisht, ajo nuk ishte më vendi ku njerëzit ishin “të dhënë pas lutjes”, siç e përshkruante Çelebiu. Më herët ne kishim dëgjuar ezanin nga xhamia e vetme e qytetit, por askush nuk rendi të arrinte faljet, as nuk kishte ndonjë përkujtues për institutet e panumërta të edukimit islam për të cilat Ergiri kishte qenë me nam dikur.

Veprat e përkthyera të Evlijait ofrojnë një prej perspektivave të vetme myslimane rreth Europës Myslimane – asaj që përqafon kulturën dhe trashëgiminë si të sajën dhe jo diç e ardhur, e huaj dhe inferior.  Të gjitha veprat e tjera rreth rajonit në gjuhën angleze janë shkruar nga e njëjta demografi e ngushtë: të bardhë, perëndimorë, të privilegjuar, të krishterë dhe, ç’është më shqetësuese, nga klasa kolonizatorë. Këta ishin njerëzit që udhëtonin për qëllimet e kolonizimit të një vendi ose pjesë e klasës së njerëzve që bënin këtë gjë. Ata e shihnin botën nga një pozitë e epërme ku ndiheshin superiorë vetvetiu. Por veprat e tyre paraqiteshin shpesh si bredhje romantike dhe qenë marrë si pikëmbështetje nga shumë autorë të mëvonshëm shëtitës për kontekst socio-historik. Kjo është trashëgimia e veprave moderne të letërsisë së udhëtimit.

Rrugë e shtruar me kalldrëm në lagjen e pazarit të vjetër të Gjirokastrës. Fotografia: Alamy

Kisha ardhur në Gjirokastër si pjesë e një udhëtimi familjar me makinë për të kërkuar praninë e gjallë të myslimanëve indigjenë të Europës dhe për të ndjekur gjurmët e Evlija Çelebiut. Po shpresoja ta shihja këtë pjesë të kontinentit ashtu si ai, kur ajo ishte vërtet Europë Myslimane – nën sundimin osman në zenitin e fuqive të perandorisë.

Udhëtimi do të bëhej pikënisje për librin tim të fundit. Kisha ardhur me familjen time nga Londra për të nisur udhëtimin në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Deri në atë moment, kishim vizituar komunitetet myslimane në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke u magjepsur nga historia dhe pasuria e trashëgimisë së tyre. Pas Shqipërisë, ne do të drejtoheshim për Mal të Zi përpara se të ktheheshim në Sarajevë. 

Sot, ndërsa ime shoqe dhe dy vajzat qëndronin në një plazh në Vlorë, qyteti i origjinës së Idarit, ai po më ndihmonte të ndiqja gjurmët e Evlijait.

Në veprën e tij madhështore në 10 vëllime, Libri i Udhëtimeve, ose Sejâhatnâme, Evlijai e përshkruante Gjirokastrën si një qytet i hirshëm dhe i hapur, i shpërndarë mbi 8 kodra dhe lugina që këqyreshin nga fortesa, një vend ku shtëpitë me çati rrasash guri kishin vreshta dhe kopshte të rrethuar me mure graniti të bardhë.

Një oxhak i dekoruar Brenda një shtëpie osmane në Gjirokastër. Fotografia: Tharik Hussain

Ndërsa Megane jonë e bardhë që kishim marrë me qira po luftonte me përpjetëzën e rrugëve me kalldrëm të “qytetit të gurtë”, Idari po vështronte gojëhapur nga dritarja e makinës, duke admiruar shtëpitë osmane të shpërndara mbi faqet e kodrinave. Dukshëm, Gjirokastra kishte sharmin e Ergirit të Evlijait, pasi kjo ishte edhe periudha më e gjatë që kishte kaluar pa thëthirë asnjëherë cigaren.

Po drejtoheshim nga zona e pazarit osman original të qytetit, e rindërtuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kjo ishte më e bukura e të gjitha lagjeve, e dominuar nga xhamia e vetme e mbijetuar dhe funksionale e Ergirit, Xhamia e Pazarit ose Memi Beut.

Në kohën e Evlijait, qyteti ishte një hapësirë thellësisht fetare. Duke akomoduar të paktën 15 xhami, Ergiri ishte adresa e studiuesve të ardhshëm të hadithit (traditave të Profetit) vinin për t’u trajnuar në një prej tri medreseve që ishin specializuar në këtë fushë. Kishte edhe teqe për tre urdhra të ndryshëm sufijsh dhe katër varre shenjtorësh myslimanë. Për fat të keq, e gjitha kjo qe shkatërruar kur Enver Hoxha, diktatori që kishte lindur këtu, sundonte Shqipërinë. Xhamia e Memi Beut i shpëtoi këtij fati sepse ajo ishte listuar si monument kulture.

Rrotat e makinës kishin nisur të rrëshqisnin dhe jam mirënjohës që kur u kthyem në një qoshe dhe minareja e plotë e xhamisë u shfaq, ngritur mbi ne. Pasi parkuam nën hijen e saj, ngrita sytë drejt ballkonit të rrumbullakët që këput formën e kalemtë të saj dhe shqova strukturën fraktale, në formë hojeje të mukarnas. Dy palë shkallë simetrike të shpienin në oborrin kryesor. Në të majtë është një prej rrugicat origjinale të pazarit. Dikur zemra gumëzhitëse e tregut, ajo sot është e mbushur me dyqane që shesin çikërrima, bluza me mbishkrimin Gjirokastër dhe modele në miniaturë të kështjellës së qytetit. Një grusht turistësh endeshin brenda tyre, me silueta në kornizën e bougainvilleve ngjitëse që pronarët kishin kalitur mbi shtëpitë e tyre me dyqane.

Pazari historik në Gjirokastër përbëhet tani kryesisht nga dyqane për turistët. Fotografia: Tharik Hussain

Gjirokastra ishte lehtësisht vendi më i bukur që kam vizituar në Shqipëri dhe mund të shihja se pse edhe Hoxha e deklaroi atë njërën prej dy “qyteteve muze”. Tjetri ishte Berati, 100 kilometër në veri: edhe ai është një ode e arkitekturës klasike osmane dhe i vetmi qytet historik i panënshtruar plotësisht ndaj versionit komunist të modernizimit që dëshmoi xhamitë, sinagogat, kishat dhe teqetë sufije e manastiret të mbyllen e të shemben, bashkë me shumë monumente të tjera. Ato u zëvendësuan me ndërtesa të zymta dhe funksionale që janë shenja dalluese e arkitekturës komuniste. Me një shkatërrim të tillë të identitetit të dukshëm mysliman, Gjirokastra shfaq sot disapak shenja të jetës së saj të mëhershme si një qendër e dijetarisë islame dhe sufizmit në Ballkan, një vend ku studentët e teologjisë dhe spiritualitetit nga e gjithë bota myslimane vinin të studionin – ndonëse të dy qytetet e vjetra të Gjirokastrës dhe Beratit janë tani të mbrojtura nga UNESCO. Ne morën një ndjenjë më të mirë të historisë së saj kur u ngjitëm në kalanë e saj. Gjirokastra është vërtet një qytet shumë i hijshëm, dhe ndërsa Idari dhe unë mbështeteshim në muret prej guri, sa për t’u mbushur me frymë, vështrimi na rroku në qetësi të plotë një skenë që akoma ngjan sikur i përket faqeve nga librat e Evlijasë. Mund të shihja kopshtijet e panumërta, vreshtat dhe shtëpitë madhështore të qytetit që ai kishte përshkruar, ndoshta duke qëndruar bash në këtë vend, kornizuar nga kodrat dhe lugoret e gjelbra. Të vetmet vende që mungonin ishin ndërtesat e shumta dhe monumentet myslimane që ai përmend në Librin e tij të Udhëtimeve: Xhamia e Hizr Agait dhe minarenë e tij prej guri, Xhamia e Haxhi Muratit, me çezmën e saj me ujë të ëmbël; teqeja halvetie, ku Evlijai kishte varrosur një prej djemve të shpurës së tij; hanet e panumërta, çezmat dhe medresetë, të zhdukura të gjitha.

Idari, guida dhe miku i Tharik Hussain vështron Gjirokastrën nga kalaja mbi qytet. Fotografia: Tharik Hussain.

“Nuk dija se ekzistonte një vend si ky në Shqipëri, Tharik” më tha Idari pas pak. Dukej qartë se ai ishte shumë i prekur.

Idari kishte lindur në Shqipëri gjatë sundimit të Hoxhës, një kohë kur praktikimi i riteve fetare mund të të çonte deri në vdekje. Kjo është arsyeja që ai nuk ishte kurrë i vetëdijshëm për trashëgiminë myslimane të vendit. Nga ajo kala me shikimin mbi Ergirin e Evlijasë, ai qartësisht po përjetonte një ndjenjë humbjeje. Bashkë me të, edhe unë.

Shqipëria nuk ishte ai vendi ku unë prisja të zbuloja qytete historike osmane mahnitëse që dikur ishin qendra të dijes islame. Me gjasë, as Idari.

Shqipëria është një ndër tre vendet Europiane, përkrah Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës me shumicën e popullsisë myslimane. Këto vende ishin qendra e udhëtimit tim në kërkim të trashëgimisë së gjallë myslimane autoktone të kontinentit – trashëgiminë tonë myslimane. Nën shoqërinë e Evlijasë ia dola të vlerësoj më mirë të shkuarën e pasur islame të Shqipërisë dhe leximi i përshkrimeve të tij për popullin më bëri të kuptoj diçka tjetër: demonizimi i vazhdueshëm i këtij populli të bukur dhe banorëve të tij është rezultat i një dukurie tekstuale të bardhë, Europiane, jo-myslimane, të cilën Evlija Çelebiu më ndihmoi të mos e përsërisja.

Pikëpamjet janë të autorit. Shkrimi i përkthyer nga: https://www.theguardian.com/travel/2021/aug/09/journey-to-albania-search-europes-muslim-heritage