Studiuesi i mrekullueshëm arab që mundi Adam Smithin për gjysmë mijëvjeçari.

Shpërndaje

Ekonomistët neoklasikë kanë krijuar një narrativë të rreme për historinë e ekonomisë.

Dániel Oláh

Në një nga veprat më të rëndësishme në fushën e historisë së mendimit ekonomik (Historia e Analizës Ekonomike, 1954), Joseph Schumpeter ka argumentuar se ekziston një “hendek i madh” në historinë e ekonomisë. Koncepti justifikon injorancën e përgjithshme në kurrikulat e ekonomisë sa i përket mendimit ekonomik në periudhën e hershme kristiane dhe skolastike, duke theksuar mungesën e të menduarit ekonomik pozitiv (“shkencor”) në këtë periudhë.

Falë këtij boshllëku të vetë-krijuar (pra i krijuar nga vetë studiuesit e mendimit ekonomik perëndimor, shënimi ynë) figura më e shquar islame e Mesjetës, studiuesi dhe politikani andaluzian Ibn Khaldun është lënë pas dore në tekstet kryesore (Screpanti dhe Zamagni 2005; Roncaglia 2005; Rothbard 2006; Blaug 1985). Disa nga këto vepra shpesh në mënyrë keqorientuese fillojnë të identifikojnë rrënjët e teorive moderne fill pas diskutimeve të merkantilistëve ose iluminizmit skocez.

E vërteta është se këto nuk ishin aspak fillimi i të menduarit ekonomik.

Themelimi i shkencave shoqërore në shekullin e 14-të

Merita më e madhe e Ibn Khaldun-it qëndron në ndryshimin rrënjësor që ai ka sjellë në të menduarit metodologjik. Ai hodhi poshtë plotësisht metodologjinë e paraardhësve të tij, gjë që e bëri atë të parin “shkencëtar social […] në kuptimin më strikt të këtij termi” (Fonseca, 1988). Para Khaldun-it, roli i historianëve islamikë ishte i kufizuar në transmetimin e njohurive, duke e lënë pas dore modifikimin, redaktimin apo qoftë edhe bërjen e vërejtjeve ndaj traditës. Ata nuk e vunë kurrë në dyshim vlefshmërinë e historisë, por në vend të kësaj analizuan me mjaft kujdes besueshmërinë e transmetuesit.

Khaldun e hodhi poshtë këtë praktikë, duke deklaruar nevojën për një metodë të re, shkencore e cila u lejon mendimtarëve që të dallojnë informacionin e vërtetë historik nga ai i rremë. Por si arrihet kjo? Sipas tij, ne duhet të “hetojmë organizimin shoqëror njerëzor” që të kemi “një matës të shëndoshë” i cili na ndihmon të analizojmë shoqërinë në vend se të pranojmë histori absurde të historianëve (Khaldun f. 7-8).

Khalduni thekson se kjo është një shkencë krejtësisht e re, origjinale dhe e pavarur, e cila nuk kishte ekzistuar më parë (Khaldun f. 8).

Njerku i ekonomisë

Mendimi haldunian mund të jetë jashtëzakonisht i njohur për ekonomistët e sotëm. Ai thekson se ndarja e punës shërben si bazë për çdo shoqëri të qytetëruar dhe identifikon ndarjen e punës jo vetëm në nivel fabrike, por edhe në një kontekst social dhe ndërkombëtar. Khaldun thekson në shembullin e mbledhjes së drithërave se ndarja e punës krijon mbivlerë: “Kështu, dikush nuk mund t’ia dalë pa kombinimin e shumë energjive nga mesi i të ngjashmëve të tij, nëse do të sigurojë ushqim për veten dhe për të tjerët. Nëpërmjet bashkëpunimit mund të plotësohen nevojat e një numri të madh personash, përndryshe të paplotësueshme pa një bashkërendim ndërmjet tyre, si pasojë e shumësisë së tyre ( nënkupto nevojat).” (Khaldun f. 87).

Shembulli i tij i ndarjes së procesit të prodhimit është harruar plotësisht nga ekonomistët, megjithëse, nuk është më pak shprehës se sa shembulli simotër I dhënë nga Smithi me fabrikën e drurëve: “të tilla përfshijnë, për shembull, përdorimin e gdhendjeve për dyer dhe karrige. Mjeshtëria e kthimit dhe dhënies formë copave të drurit nga një torno, dhe më pastaj  bashkimi i këtyre copave, ashtu që syrit t’i duken si një copë” (Khaldun f. 519). Për më tepër: në kundërshtim me Smithin, Khaldun nuk bën asnjë dallim midis punës produktive dhe joproduktive.

Bazuar në këtë, është e lehtë të kuptohet se Ibn Khaldun ka paraqitur ide shumë të ngjashme me Adam Smithin, por qindra vjet përpara filozofit perëndimor. Madje Khalduni tha edhe më shumë për ekonominë.

Ai analizoi lindjen e tregjeve bazuar në ndarjen e punës dhe shqyrtoi forcat e tregut në një mënyrë të thjeshtë didaktike e cila është shumë e ngjashme me qëndrimin e Alfred Marshall. Shpikja e analizës së ofertë-kërkesës nuk ndodhi në shekullin e 19-të: ishte po dijetari mysliman  i cili përshkroi këtë marrëdhëdhënie, duke marrë parasysh gjithashtu edhe rolin e inventarëve dhe tregtisë së mallrave. Ai e ndau ekonominë në tre pjesë (prodhimi, tregtia dhe sektori publik) pasi çmimet e tregut në teorinë e tij përfshijnë pagat, fitimet dhe taksat (Boulakia, 1971). Në të njëjtën kohë ai analizoi edhe tregun për mallra, punë dhe tokë. Kjo qasje e strukturuar e shtyu Khaldun-in të shpikë teorinë e vlerës së punës, cka e bën atë në këtë kuptim një mendimtar para-marksist (ose klasik) (Oweiss, 1988).

Ideja e tij, se nëse inputi i punës është zero, zero do të jetë gjithashtu edhe vlera e prodhuar, duket çuditërisht klasike.

Si neoklasikët krijuan një histori të rreme

Në modelin dinamik haldunian të zhvillimit ekonomik, qeveria luan një rol vendimtar. Politikat e saj, kryesisht taksat, kanë një efekt të madh në zhvillimin e një qytetërimi. Pas mënyrës së jetesës nomade, fiset kalojnë në mënyrë jetese sedentare, duke lindur qytetërimin urban. Mënyra e jetesës sedentare shkatërron solidaritetin origjinal të grupit dhe krijon nevojën për klientelë të re. Krijimi i një identiteti të ri grupor është i kushtueshëm dhe gjithashtu ka nevojë për një ushtri të re.

Pra, me zgjerimin e qytetërimit urban, dhe falë nevojave luksoze në rritje të dinastisë, sundimtari duhet të rrisë taksat. Në fund, normat e taksave bëhen aq të larta sa ekonomia kolapson. “Duhet ditur se në fillim të dinastisë, si pasojë e përllogaritjeve jo të sakta, taksimi i lartë sjell të ardhura të mëdha. Ndërsa në fund të dinastisë, pavarësisht përllogaritjeve të sakta taksat sjellin të ardhura gjithnjë e më  të vogla.” (Khaldun f. 352) – shkruan Khaldun, duke përshkruar edhe mikrostimujt pas taksimit. Nga ana tjetër, ai refuzon përfshirjen e taksave doganore në marrëdhënie tregtare dhe është kundra përfshirjes së qeverisë në tregti pasi fuqia ekonomiko-politike e saj është disproporcionalisht më e madhe se e aktorëve të tjerë.

Këto ide janë kaq unike në Mesjetë, saqë edhe Ronald Reagan duke iu referuar Arthur Laffer, citoi veprën e Khaldun duke nënkuptuar se ata kishin disa miq të përbashkët. Arsyeja për këtë ishte se edhe vetë Laffer e konsideronte Khaldun-in si një pararendës të ekonomisë nga ana e ofertës dhe kurbës Laffer, megjithëse idetë Khalduniane nuk kanë shumë të përbashkëta me kurbën Laffer. Prandaj këto duhet të interpretohen në dimensionin kohor dhe jo si një rregull i përgjithshëm i politikës.

Pra, kjo narrativë nuk është vetëm e rremë, por edhe ilustron sesi ekonomia neoklasike formon historinë ekonomike për të justifikuar ekzistencën e saj. Këto janë mbithjeshtëzime johistorike për të krijuar historinë e një evolucioni të lavdishëm dhe të drejtpërdrejtë drejt neoklasicizmit si gjendja më e zhvilluar e të menduarit ekonomik.

Në këtë proces, ose studiuesit e së shkuarës shpërfillen, ose, përpiqen të integrohen në kontekstin e historisë neoklasike.

Idetë kejnsiane nga Afrika Veriore e shekullit të 14-të

Së fundi, idetë e filozofit musliman paraprijnë edhe idetë e teorive ekonomike kejnsiane. Fjalët e Khaldunit janë bindëse: “dinastia dhe qeveria shërbejnë si tregu më i madh në botë, duke ofruar substancën e qytetërimit. Pra, nëse sundimtari është përgjegjësi për pronën dhe të ardhurat, por nuk tregohet i kujdesshëm nga cuarja dëm ose mospërdorimi i duhur, atëherë prona në zotërim të rrethit të sundimtarit do të zvogëlohet. Kështu (kur ndalojnë shpenzimet), biznesi bie dhe fitimet komerciale bien për shkak të mungesës së kapitalit”. “ […] Për më tepër, paratë qarkullojnë midis nënshtetasve dhe sundimtarit, duke lëvizur përpara dhe mbrapa. Kështu që, nëse sundimtari i mban për vete, ato do të humbasin për nënshtetasit” (Khaldun f. 365).

Këto janë argumente të forta për shpenzimet e qeverisë në kontekstin e Afrikës Veriore të shekullit të 14-të.

Adam Smith si një mendimtar haldunian?

Jo vetëm idetë halduniane, por edhe metodologjia pas tyre është vërtet origjinale, pasi mbështetet në abstraksion dhe përgjithësim. Khaldun na jep ekonominë e Afrikës Veriore të shekullit të 14-të dhe një numër çështjesh të lidhura me të. Ai trajton pyetje për të cilat ne nuk kemi një zgjidhje të vetme as në shekullin e 21-të. Khaldun na ndihmon për të kapërcyer hendekun në historinë e mendimit duke treguar rëndësinë e kulturës islame mesjetare. Gjithashtu ai na ndihmon për të kuptuar marrëdhënien midis ekonomisë islame dhe shkollave të tjera të mendimit duke qenë një paraardhës i përbashkët teorik.

Nuk dihet me siguri nëse Adam Smith ose ndonjë studiues tjetër klasik nuk ka qenë frymëzuar nga puna e Khaldun-it teksa zhvillonin teoritë e tyre. Ndër të tjera, ne duhet të zbulojmë edhe këtë informacion – të humbur në Hendekun e Madh – për të zbuluar një narrativë të re që është më afër realitetit.

Por pse na duhet një narrativë e re, duke rizbuluar të kaluarën tonë? Përgjigja është e thjeshtë: për të shmangur besime të tilla sipërfaqësore se Adam Smith (ose Ibn Khaldun) është babai i ekonomisë, se zhvillimi i ekonomisë filloi në Epokën e Re për të kulmuar në mendimin neoklasik, se Khalduni tashmë e kishte shpikur kurbën Laffer, apo se tregu financiar efektivisht vetërregullohet, dhe se një qeveri e madhe është gjithmonë e keqe për ekonominë.Ekonomistët duhet të ushtrojnë vetë-reflektim: kriza e vitit 2008 dëshmoi se boshllëqet ( nënkupto informative, shënimi ynë) në mendimin dominues shndërrohen lehtësisht në politika të gabuara.

Me një qasje të re, më pluraliste ndaj historisë së mendimit, e cila është shumë e nevojshme në shekullin e 21-të sëmundja e Alzheimerit që ka prekur mendimin ekonomik dominues mund të kurohet.

Përktheu: Kevi Muçllari

Bibliografi

Al-Hamdi, M. T. 2006. “Ibn Khaldun: The Father of the Division of Labor”. Conference lecture in Madrid (http://www.uned.es/congreso-ibn-khaldun/pdf/09%20Mohamed%20Alhamdi.pdf; accessed: 14 May 2017)

Blaug, M. 1985. Economic Theory in Retrospect. Cambridge: Cambridge University Press.

Boulakia, J. D. C. 1971. “Ibn Khaldún: A Fourteenth-Century Economist”, Journal of Political Economy 79. No. 5: 1105-1118.

Khaldun, Ibn. 1377. The Muqaddimah: An Introduction to History. Translated by Franz Rosenthal. Online version: https://asadullahali.files.wordpress.com/2012/10/ibn_khaldun-al_muqaddimah.pdf (accessed: 10 March 2017)

Oweiss, I. M. 1988. “Ibn Khaldún, Father of Economics”. In Arab Civilization: Challenges and Responses, edited by Oweiss, I. M. – Atiyeh, G. N. New York: State University of New York Press.

Roncaglia, A. 2005. The Wealth of Ideas. A History of Economic Thought. Cambridge: Cambridge University Press.

Rothbard, M. N. 2006. Economic Thought Before Adam Smith. An Austrian Perspective on the History of Economic Thought. Brookfield Vt: Edëard Elgar Publishing Ltd.

Schumpeter, J. A. 1954. History of Economic Analysis. London: Allen & Unwin.

Burimi: https://evonomics.com/amazing-north-african-scholar-beat-adam-smith-half-millennium/