Rruga për tek Allahu

Shpërndaje

“Si mundet dikush ta pastrojë dhe hapë shpirtin e tij ndaj Zotit në mënyrë totale? A arrihet kjo me përkushtim ndaj adhurimit të Zotit? Me përkushtim ndaj obligimeve? Ndaj familjes? Ndaj punës? Ndaj dikujt që e do?”

Mendoj se pyetja e parë është pyetja më e rëndësishme që një musliman mund t’i bëjë vetes dhe unë po shkruaj jo se zotëroj përgjigjen e kësaj pyetjeje, por për të bashkëbiseduar.

Sipas kuptimit tim, rruga për tek Allahu dhe mveshja me cilësitë profetike arrihet duke u shoqëruar me njerëz që kanë mbërritur tek Allahu. Sahabët (literalisht shoqëruesit) u quajtën kështu sepse patën bekimin të shihnin, duke qenë besimtarë, të Dërguarin dhe të përthithnin cilësitë dhe virtytet e tij nëpërmjet shoqërimit të tij. Allahu përmend si një prej misioneve të Profetit në Kuran pastrimin e besimtarëve kur u drejtohet atyre: “Për të plotësuar mirësine Tonë dërguam një të Dërguar nga mesi juaj që t’ju lexojë ajetet Tona, t’ju pastrojë, t’ju mësojë librin e urtësine, dhe t’ju mësojë çfarë nuk dinit.” (2, 151)

Në rast se përqark nuk kemi dikë që të bëjë me ne atë që Profeti bëri me sahabët, na mbetet t’i referohemi rrugëtimit të zemrave të atyre që udhëtuan dhe mbërritën tek Allahu, të cilin dijetarët e kultivimit të tyre e kane dëshmuar nëpër libra. Një libër i tillë është “Shkallët e rrugëtarëve për tek Allahu midis niveleve të ajetit vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” i Imamit Ibën Kajim el-Xheuzijeh.

Ky libër është interpretim dhe shtjellim i librit “Gradat e udhëtarëve për tek Allahu” të dijetarit afgan sufi Abdullah Ensari el-Herauij. Ibën Kajimi përmend mbi 90 shkallë nëpër të cilat kalon besimtari përgjatë përpjekjeve të tij në pastrimin e shpirtit, ku pasardhësja është më e lartë se paraardhësja, derisa rrugëtari shpirtëror takon Allahun. Këto shkallë janë si gurë kilometrikë përgjatë rrugës që na ndihmojnë në vetëvlerësimin dhe njehsimin e eksperiencave shpirtërore. Kjo është renditja dhe përkufizimi i më kryesoreve prej tyre nga Ibën Kajimi:

El-Bidajat — Fillimet

El-Jekadhah — Zgjimi: Mosrehatia e zemrës nga dëshmimi i shkëlqimit të përmendjes nga gjumi i shkujdesjes (ghafleh).

El-Muhasebeh — Kërkimi llogari vetes.

Et-Teubeh — Pendesa: E para dhe e fundit e shkallëve. Edhe nëse kalon nga një gradë në tjetrën, rrugëtari shoqërohet nga pendesa dhe nuk e ndan atë për asnjë moment.

Et-Tedhekkur — Kujtimi: E kundërta e harresës, prania e imazhit të të përkujtuarit në zemër, arritja e gjësë së kërkuar pas investigimit rreth saj. Frytet e kësaj shkalle janë të vërtetat e Imanit dhe Ihsanit.

El-I’tisamu bi-l-lah — Kapja pas Allahut: Kapja pas litarit të Allahut mbron nga humbja, kapja pas Tij mbron nga shkatërrimi, se udhëtari per tek Allahu ka nevojë të jetë i udhëzuar dhe i sigurtë në rrugë.

El-Firaru ile-llah — Vrapimi për tek Allahu: Largimi nga gjithçka përveç Allahut, për tek Allahu.

Er-Rijadah — Përgatitja: Ushtrimi i shpirtit për vërtetësi dhe sinqeritet.

El-Ebuab — Hyrjet

El-Khauf — Frika.

El-Ishfak — Frika e shoqëruar me shpresën e mëshirimit.

El-Khushu’ — Frika e shoqëruar me përulje: Qëndrimi i zemrës para Zotit me përulje dhe nënshtrim.

Ez-Zuhd — Asketizmi: Largimi tërësisht nga zemra i çdo gjëje përveç Allahut, aq sa të mos e kthejë kokën tek ato, dhe as të mos permallohet për to.

El-Uer’ — Devocioni: Ruajtja në maksimumin e mundshëm nga harami, e të ngjashmet, dhe çdo gjëje që frikësohet se e dëmton; pastrimi i papastërtive dhe ndotjeve të zemrës, ashtu si uji pastron papastërtitë e rrobave.

Et-Tebettul — Veçimi me Allahun.

Er-Raxha — Shpresa: Udhëheqësi që nxit zemrat për te tokat e të Dashurit, që janë Allahu dhe bota tjetër, duke jua lezetuar udhëtimin; besimi te bujaria e Zotit të Lartësuar, dhe kënaqësia nga dijenia për fisnikërine e Tij.

Er-Ragbeh — Përgjërimi: Fryti i shpresës. Shpresa është dëshirim, përgjërimi është kërkesë. Përgjërimi rrjedh nga shpresa, ashtu si largimi nga frika; kush shpreson diçka e kërkon atë, kush ka frikë nga diçka largohet prej saj.

El-Mu’amalat — Sjelljet

Er-Ri’ajeh — Përkujdesja: Përkujdesja dhe ruajtja e dijes nëpërmjet punës, dhe përkujdesja ndaj punës nëpërmjet zbukurimit (ihsan) e sinqeritetit.

El-Murakabeh — Vetëdija për vëzhgimin e Allahut: Vetëdija e përhershme dhe e sigurtë që Zoti i Vërtetë është në dijeni të punëve të jashtme dhe gjendjeve të brendshme. Shpresa nxit për punë, frika largon nga gjynahet, vetëdija për vëzhgimin e Allahut shpjen në rrugën e realiteteve (hakaik).

T’adhimu hurumati-l-lah — Madhërimi i ndalesave të Allahut.

El-Ikhlas — Sinqeriteti: Harrimi i shikimit të krijesave për shkak të përhershmërisë së shikimit të Krijuesit. Sinqeriteti është të mos kërkosh dëshmues të punës tënde askënd përveç Allahut, dhe as shpërblyes përpos Tij. Kush vëren sinqeritet në sinqeritetin e tij, atëhere sinqeriteti i tij ka nevojë për sinqeritet.

El-Istikameh — Qëndrueshmëria në virtyt: Qëndrimi para Allahut në realitetin e vërtetësisë dhe mbajtjes së premtimit; bërja e gjërave për Allahun, nëpërmjet Allahut, dhe sipas urdhrit të Tij.

Et-Teuekkul — Mbështetja: Dija e zemrës për mjaftueshmërinë e Zotit për robin; prerja e shpresës së zemrës nga tjetërkush përveç Allahut; vepër e zemrës, jo fjalë e gojës, as punë e gjymtyrëve, dhe as dije e perceptueshme.

El-Ekhlak — Moralet

Es-Sabr — Durimi: Gjysma e parë e besimit; përmbajtja e vetes (nefs-it) kur bie në parehati dhe ndalimi i gjuhës nga ankimi. Shfaqet në tre lloje: durim në kryerjen e urdhëresave, durim në moskryerjen e ndalesave, durim në sprovimin nga Allahu.

Esh-Shukr — Falënderimi: Gjysma e dytë e besimit; shfaqja e gjurmëve të mirësive të Allahut në gjuhën e robit të Tij nëpërmjet lavdërimit dhe mirënjohjes, në zemrën e tij nëpërmjet dëshmimit dhe dashurisë, në gjymtyrët e tij nëpërmjet nënshtrimit dhe bindjes.

El-Haja — Turpi: Gjendja që lind kur robi krahason mirësitë e Allahut me mangësitë e veta karshi Tij; përjetimi që vjen nga përzierja e madhërimit me dashurinë.

Es-Sidk — Vërtetësia: Njëllojshmëria e pamjes së jashtme me gjendjen e brendshme, në ndryshim nga gënjeshtari dhe hipokriti që shfaqen ndryshe nga ç‘janë; të thënurit e së vërtetës atij që i frikesh ose e dëshiron.

Et-Teuadu’ — Përulësia: Përulja ndaj autoritetit të së vërtetës.

El-Khuluk — Morali: Braktisja e veseve dhe pajisja me virtyte. Feja është e gjitha moral, kush të shton në moral të ka shtuar në fé. Kështu është dhe tesavufi.

El-Murueh — Burrëria: Karakterizimi i nefs-it nga cilësitë njerëzore, me të cilat u dallua prej shtazës së egër dhe shejtanit të mallkuar; mbizotërimi i epshit prej arsyes; përdorimi i cilësive që e zbukurojnë robin, dhe braktisja e atyre që e poshtërojnë atë.

El-Usul — Zanafillat

El-‘Azm — Vendosmëria: Nëse në fillim rrugëtari shfaq vendosmëri për t’i hyrë rrugës, në këtë fazë shfaq vendosmëri të papërzier me hezitim për realizimin e qëllimit.

El-Iradeh — Vullneti: Ekzaltimi i zemrës në kërkim të të vërtetës; përgjigja ndaj thirrjeve të brendshme për tek e vërteta.

El-jekin — Siguria: Shfaqja e gjësë në zemër ashtu sikur të shihej me sy, aq sa të mos ketë dyshim në të. Aty është përfundimi i Imanit dhe grada e Ihsanit.

El-Unsu bi-l-lah — Dëshirimi i shoqërisë së Allahut: Fryti i bindjes dhe dashurisë, sepse çdo rob i bindur ndjehet afër me Allahun, kurse çdo mëkatar ndjehet i tëhuajsuar prej Tij.

Edh-Dhikr — Përmendja: Çlirimi/(shpëtimi) nga shkujdesja (braktisja e vullnetshme e përmendjes) dhe harresa (braktisja e pavullnetshme e përmendjes). Përmendja e Allahut është më e mira e adhurimeve, sepse qëllimi i tyre është ngritja e përkujtimit të Allahut, prandaj ajo është sekreti dhe esenca e adhurimeve.

El-Fakr — Varfëria: Nevojshmëria për Allahun e Lartësuar në çdo gjendje.

El-Ghina — Pasuria: Të mos paturit nevojë për askënd tjetër përveç Allahut.

El-Eudijeh — Intimitetet

El-Ihsan — Përsosmëria: Përkryerja e ndjesisë së prezencës me Allahun dhe vëzhgimit gjithëpërfshirës të Tij si pasojë e druajtjes, dashurisë, njohjes, pendesës, dhe sinqeritetit ndaj Tij, si dhe e përjetimit të gjithë shkallëve të tjera të Imanit.

El-Hikmeh — Urtësia: Dija për të vërtetën dhe veprimi sipas saj; të qëlluarit në shenjë në fjalë dhe vepra. Kjo nuk ngjet vetëm se nëpërmjet kuptimit të Kuranit, urdhëresave të Islamit dhe realiteteve të Imanit.

El-Firaseh — Mprehtësia e besimit: Drita që Allahu hedh në zemrën e robit të Tij, nëpërmjet të cilës dallon të vërtetën nga e kota, dhe të sinqertin nga gënjeshtari.

Et-T’adhim — Madhërimi: Njohja e madhështisë së Allahut e shoqëruar me përuljen ndaj saj.

Es-Sekineh — Paqtimi: Paqtimi që zbret Allahu në zemrën e robit të Tij kur lëkundet nga fuqia e frikës, i cili i shton atij besimin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë.

Et-Tumanineh — Qetësimi: Rezultati i paqtimit, përfundimi i tij. Ndyshimi me paqtimin qëndron në faktin se qetësimi nuk i ndahet zemrës, ndërkohë që paqtimi ndodh kohë pas kohe.

El-Himmeh — Aspirata: Nëse shqetësimi (el-hemm) është fillimi i vullnetit, aspirata është përfundimi i tij atëhere kur ai mbizotëron zemrën ashtu si sunduesi të sunduarin.

El-Ehual — Përjetimet

El-Mehabbeh — Dashuria: I dashuruari me Allahun është i ikur prej nefs-it të tij, i lidhur me përmendjen e Zotit të tij, në kryerje të detyrimeve karshi Tij, duke e vështruar Atë me zemrën e tij, të cilën e ka përvëluar ndriçimi i madhështisë së Tij. Pija e tij është e kthjellët ngase vjen nga gota e dashurisë së Tij, dhe prej të Plotfuqishmit i janë zbuluar perde të të fshehtës së Tij. Ekzistenca e tij është nëpërmjet Allahut, për Allahun, dhe me Allahun.

Esh-Sheuk — Malli: Trazimi i zemrës së dëshiruar për ribashkimin me të Dashurin.

El-Uexhd — Ekstaza: Zjarrmimi i zemrës për shkak të dëshmimit të të Dashurit.

El-Berk — Vetëtima: Drita e vetëtimës që i shfaqet robit duke e ftuar të futet në rrugën për tek Allahu. Drita e nënkuptuar këtu është ajo e përjetimeve dhe jo e punëve, kurse rruga është ajo e përfundimeve dhe jo e fillimeve.

Edh-Dheuk — Shijimi: Shijimi është fillimi i pirjes, ashtu sikurse përkujtimi është fillimi i njohjes. Imani shoqërohet me aromë dhe ëmbëlsi, të cilat perceptohen me shijim dhe ekstazë. Dyshimet dhe pasiguritë nuk zhduken nga zemra derisa Imani të hyjë në të me të vërtetë, e ajo të shijojë aromën dhe ëmbëlsinë e tij.

El-Uilajat — Afrimitetet

El-Lahdh — Hedhja e shikimit: Vërejtja me zemër e përkryerjes dhe bukurisë së Zotit të Lartësuar të cilat e robërojnë zemrën.

Es-Safa — Kthjelltësia: Kthjelltësia e përjetimit, nëpërmjet të cilit dëshmohen gjurmët e realiteteve, shijohet ëmbëlsia e dialogimeve me Allahun, dhe harrohet krijimi.

Es-Surur — Hareja: Hareja e cila largon tre brenga: brengën që mbart frika e shkëputjes nga Allahu, atë që shkakton errësira e padijes, dhe brengën që sjell vetmia e zemrës së ndarë prej Allahut të Madhëruar.

El-Ghurbeh — Vetmia: Vetmia e aspiratave të larta në kërkim të së vërtetës. Kjo është vetmia e njohësit (‘arif) të Allahut, sepse ai është i vetmuar në vëzhgimin e objektit të tij. Të devotshmit janë të vetëm mes njerëzve, asketët janë të vetmuar mes të devotshmëve, ndërsa njohësit janë të vetmuar mes asketëve.

Et-Temekkun — Zotërimi i nefs-it: Mposhtja e nefs-it deri në shuarjen e dominimit të njerëzores, për shkak të lindjes së diellit të së vërtetës dhe pushtimit prej saj.

El-Hakaik — Realitetet

El-Mukashefeh — Zbulimi: Dije që Allahu i Lartësuar i krijon në zemër, me anë të të cilave i zbulon robit çështje që janë të fshehura për të tjerët; mbërritja në një shkallë të tillë njohjeje sa që shpirti të ndjejë afrinë e veçantë që s’është si afërsia e shqisores me shqisoren, të vrojtojë ngritjen e perdes midis shpirtit e zemrës së tij dhe Zotit të tij, e të arrijë ta adhurojë Atë sikur ta shihte. E s’ka dyshim se perdja e robit është nefs-i i tij, prandaj zbulimi më i shkëlqyer është t’i zbulojë Allahu udhëtarit për tek Ai rrugën për të ndjekur që të qëndrojë në të, gabimet e nefs-it që t’i ndreqë ato, dhe gjynahet që të pendohet për to.

El-Hajah — Jeta: Ngjallja e robit prej Zotit, jo me shpirtin që i jep jetë trupit, por me shpirtin e njohjes dhe njësimit të Tij. Prandaj në Kuran (42, 52) Allahu e ka quajtur shpalljen shpirt (ruh), sepse nëpërmjet saj ngjallet dhe ndriçohet zemra.

El-Ittisal — Lidhja: Gjetja nga robi e Zotit të tij pas privimit prej Tij. Kjo i përngjet dikujt që po kërkonte një thesar pa arritur tek ai, derisa kur e gjeti u pasurua prej tij në gradën më të lartë.

El-Infisal — Shkëputja: Shkëputja nga përkujtimi i ndokujt tjetër përveç Allahut në gjendjen e zënies me dashurinë, shpresimin e frikën prej Allahut dhe ëmbëlsisë së shoqërimit me Të, ngaqë në zemër nuk ka vend për dikë tjetër përveç Tij.

En-Nihajat — Përfundimet

El-M’arifeh — Njohja: Kush e njeh Allahun është i lumtur me Të, kush e njeh Allahun nuk i mbetet dëshirim tjetër përpos Tij, e përkujton Atë pandërprerë, përmallohet për takimin me Të, i vjen turp prej Tij dhe e madhëron Atë. Zemra e njohësit të Allahut pasqyron të padukshmen tek e cila jemi ftuar të besojmë. Në përpjestim me qartësinë e kësaj pasqyre shfaqen në të Allahu i Lartësuar, bota tjetër, xhenneti dhe xhehennemi, engjëjt dhe të Dërguarit.

El-Fena — Shuarja: Asgjësimi i shfaqjeve të krijesave gjatë dëshmimit të Allahut prej robit, ashtu që të duket sikur janë kthyer në mosekzistencën që kanë patur para se të krijoheshin. Atëhere mbetet vetëm i Vërteti i Madhëruar në zemrën e dëshmuesit, ashtu siç ka qenë i Vetëm para sjelljes në ekzistencë të krijimit.

Përgatiti: Gerdi Demneri