Rrënjët Islame të Spitalit Modern

Shpërndaje

Qasja e Perëndimit modern ndaj shëndetit dhe mjekësisë i ka borxhe të panumërta të kaluarës së lashtë: Babilonisë, Egjiptit, Greqisë, Romës dhe Indisë, për të përmendur disa. Spitali është një shpikje sa mjekësore aq edhe sociale, dhe sot është një institucion që ne e marrim si të mirëqenë, duke shpresuar se rrallë kemi nevojë për të, por mirënjohës kur na nevojitet vërtet. Pothuajse kudo në botë tani, ne presim që një spital të jetë një vend ku mund të marrim lehtësim nga dhimbja dhe ndihmë për shërim në kohë sëmundjesh ose aksidentesh.

Ne mund të marrim këtë përkujdesje si pasojë e qasjes sistematike – si shkencore ashtu edhe shoqërore – që u zhvillua ndaj kujdesit shëndetësor në shoqëritë islame mesjetare. Një varg i gjatë kalifësh, sulltanësh, dijetarësh dhe mjekësh morën njohuri të lashta dhe praktika të nderuara të kohës nga tradita të ndryshme dhe i shkrivë n ato me kërkimet e tyre origjinale, për të ushqyer shekuj arritjesh intelektuale dhe për të nxitur një kërkim të vazhdueshëm për përmirësim. Bimaristani i tyre, ose streha e të sëmurëve, ishte jo vetëm pararendësi i vërtetë i spitalit modern, por edhe praktikisht i padallueshëm nga qendra moderne e kujdesit shëndetësor dhe edukimit mjekësor me shërbime të shumëfishta.

Bimaristani shërbeu në mënyra të ndryshme si një qendër trajtimi, një shtëpi shërimi për ata që shëroheshin nga sëmundja ose aksidenti, një strehë psikologjike dhe një shtëpi të moshuarish që siguronte mirëmbajtjen bazë për të moshuarit dhe të pafuqishmit që nuk kishin një familje për t’u kujdesur për ta.

Streha e të sëmurëve

Bimaristani ishte vetëm një rezultat i rëndësishëm i energjisë dhe mendimit të madh që qytetërimet islame mesjetare i kushtuan zhvillimit të arteve mjekësore. Bashkëngjitur me spitalet më të mëdha – atëherë si tani – ishin shkollat dhe bibliotekat mjekësore ku mjekët e vjetër u mësonin studentëve se si të zbatonin njohuritë e tyre drejtpërdrejt me pacientët. Spitalet vendosnin për ekzaminimet që studentët duhet t’u bënin të sëmurëve dhe gjithashtu lëshonin edhe diploma. Bimaristanet institucionale iu kushtuan përmirësimit të shëndetit, shërimit të sëmundjeve, zgjerimit dhe përhapjes së njohurive mjekësore.

Spitalet e para

Megjithëse vendet për të sëmurët kanë ekzistuar që nga lashtësia, shumica ishin të thjeshta, me një strukturë rudimentare organizimi dhe përkujdesjeje. Përmirësimet në rritje vazhduan gjatë periudhës helenistike, por këto objekte vështirë se njiheshin si pak më shumë se vendet ku mbaheshin të sëmurët. Në Evropën e Mesjetës së hershme, dominonte besimi filozofik se origjina e sëmundjes ishte e mbinatyrshme dhe si rrjedhim e pakontrollueshme nga ndërhyrja njerëzore: si rezultat, spitalet ishin pak më shumë se bujtina ku pacientët merrnin përkujdesje nga murgjit që përpiqeshin të siguronin shpëtimin e shpirtit pa shumë përpjekje për të kuruar trupin.

Mjekët myslimanë kishin një qasje krejtësisht të ndryshme. Të udhëhequr nga thëniet e Profetit Muhamed a.s (hadith) si “Zoti nuk shkakton kurrë një sëmundje, pa i caktuar edhe shërimin”, të koleksionin e Buhariut, dhe “Zoti e ka zbritur sëmundjen dhe ilaçin dhe ka caktuar një kurë për çdo sëmundje, prandaj trajtojeni veten në mënyrë mjekësore”, në koleksionin e Ebu Derdasë, ata përpiqeshin të rikthenin shëndetin me mjete racionale, empirike.

Projektimi i spitalit e pasqyronte këtë ndryshim në përqasje. Në Perëndim, shtretërit dhe hapësirat për të sëmurët vendoseshin në mënyrë që pacientët të mund të shikonin sakramentin e përditshëm të meshës. Të dekoruar thjesht (në mos fare) ato shpesh ishin të zbehta dhe, për shkak të klimës dhe arkitekturës, shpesh edhe të lagështa. Në qytetet myslimane, të cilat kryesisht përfitonin nga klimat më të thata dhe më të ngrohta, u ngritën spitale në vende që lejonin depërtimin e dritës dhe ajrit. Kjo ndihmonte trajtimin sipas humoralizmit[1], një sistem mjekësie që merret me ekuilibrin trupor dhe jo shpirtëror.

Dispanseritë e lëvizshme

Qendra e parë e njohur islame e përkujdesjes u ngrit në një tendë nga Rufajdah el-Eslamijah gjatë jetës së Profetit Muhamed a.s. Gjatë betejës së Hendekut ajo i trajtoi shkëlqyeshëm të plagosurit në një tendë të veçantë të ngritur për ta.

Sundimtarët e mëvonshëm i zhvilluan këta pararendës të njësive “spitaleve fushore” në dispanseri të vërteta lëvizese, të kompletuara me ilaçe, ushqime, pije, rroba, mjekë dhe farmacistë. Misioni i tyre ishte të plotësonin nevojat e komuniteteve periferike që ishin larg qyteteve kryesore dhe objekteve të përhershme mjekësore.

Ata gjithashtu u siguruan vetë sundimtarëve kujdestari të lëvizshme. Nga fillimi i mbretërimit të shekullit të 12-të të sulltanit selxhuk Muhamed Selxhuki, spitali i lëvizshëm ishte bërë aq i gjerë saqë i duheshin 40 deve për ta transportuar.

Spitalet e Përhershme

Spitali i parë mysliman ishte vetëm një leprosarium – një strehë për lebrozët – i ndërtuar në fillim të shekullit të tetë në Damask nën kalifin umajad Ualid ibn ‘Abd el-Malik. Mjekët e emëruar në të u kompensuan me prona të mëdha dhe paga shumë të mira. Pacientët ishin të mbyllur (lebra dihej mirë se ishte ngjitëse), por ashtu si të verbërve, atyre u jepeshin paga që ndihmonin për t’u kujdesur për familjet e tyre.

Spitali i përgjithshëm më i hershëm i dokumentuar u ndërtua rreth një shekull më vonë, në vitin 805, në Bagdad, nga veziri i kalifit Harun er-Rashid. Pak detaje dihen, por rëndësia si mjekë oborri e anëtarëve të familjes Bakhtishu, ish-drejtues të akademisë mjekësore persiane në Xhundishapur, sugjeron se ata luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj.

Gjatë dekadave në vijim, 34 spitale të tjera u ngritën në mbarë botën islame dhe numri vazhdoi të rritet çdo vit. Në Kajreuan, në Tunizinë e sotme, një spital u ndërtua në shekullin e nëntë dhe të tjerë u ngritën në Mekë dhe Medinë. Persia kishte disa: njëra në qytetin e Raxhit drejtohej për një farë kohe nga biri i saj i arsimuar në Bagdad, Muhamed ibn Zekerija er-Raziu.

Në shekullin e 10-të u ndërtuan pesë spitale të tjera në Bagdad. Më i hershmi u krijua në fund të shekullit të nëntë nga ‘el-Mu’tedid, i cili i kërkoi Raziut të mbikëqyrte ndërtimin dhe funksionimin e tij. Si fillim, Raziu donte të përcaktonte vendin më të shëndetshëm në qytet: ai vendosi copa mishi të freskët në lagje të ndryshme, dhe pak kohë më vonë, ai kontrolloi për të përcaktuar se cili ishte kalbur më pak, për ta vendosur spitalin atje. Kur u hap, kishte 25 mjekë, duke përfshirë okulistë, kirurgë dhe mjekë. Numrat dhe specialitetet u rritën deri në vitin 1258, kur mongolët shkatërruan Bagdadin.

Veziri ‘Ali ibn Isa ibn Xherrah ibn Thabit i shkroi në fillim të shekullit të 10-të shefit të mjekësisë së Bagdadit për një grup tjetër: jam shumë i shqetësuar për të burgosurit. Numri i tyre i madh dhe gjendja e burgjeve e bëjnë të sigurt faktin se mes tyre duhet të ketë shumë të sëmurë. Ndaj jam i mendimit se duhet të kenë mjekët e tyre që t’i ekzaminojnë çdo ditë dhe t’u japin aty ku është e nevojshme ilaçe dhe preparate. Mjekë të tillë duhet të vizitojnë të gjitha burgjet dhe t’i trajtojnë të burgosurit e sëmurë atje.

Menjëherë pas kësaj u ndërtua një spital i veçantë për të dënuarit, me personel të plotë dhe të furnizuar.

BERNARD GAGNON
Kjo pllakë në murin e Argun Bimaristan në Alepo, Siri, përkujton themelimin e saj nga Emir Argun el-Kamili në mesin e shekullit të 14-të. Kujdesi për sëmundjet mendore këtu përfshinte dritë të bollshme, ajër të pastër, ujë të rrjedhshëm dhe muzikë.

Në Egjipt, spitali i parë u ndërtua në vitin 872 në lagjen jugperëndimore të Fustatit, tani pjesë e Kajros së Vjetër, nga guvernatori abasid i Egjiptit, Ahmed ibn Tulun. Është objekti i parë i dokumentuar që ofronte kujdes edhe për sëmundjet mendore dhe ato të përgjithshme. Në shekullin e 12-të, Saladini themeloi në Kajro spitalin Nasiri, i cili më vonë u tejkalua për nga madhësia dhe rëndësia nga Mansuri, i përfunduar në 1284. Ai mbeti qendra kryesore mjekësore në Kajro gjatë shekullit të 15-të, dhe sot, i riemërtuar Spitali Kalawun përdoret për okulistikë.

Me dhomat e tij të ajrosura dhe me tavan të lartë, Bimaristan Argun funksionoi si spital deri në fillim të shekullit të 20-të. Më vonë u bë muze.

Sipër dhe djathtas: Shatërvanet ishin qendrore për arkitekturën e Bimaristanit Argun: Tre oborre, secili mbante një shatërvan, rreth të cilit ishin rregulluar dhomat e pacientëve, ndërsa oborri qendror përmbante një pishinë të madhe drejtkëndore dhe një pus. (Që kur janë bërë këto foto, UNESCO e ka renditur Bimaristanin si të dëmtuar nga lufta.)

Organizimi

Në një mënyrë që do të ishte ende e njohur sot, spitali tipik islam ndahej në pavione si sëmundjet sistemike, kirurgjia, okulistika, ortopedia dhe sëmundjet mendore. Pavioni i sëmundjeve sistemike ishte afërsisht i barazvlefshëm me pavionin e sotëm të mjekësisë së brendshme, dhe zakonisht ndahej më tej në seksione që trajtonin ethet, problemet e tretjes, infeksionet dhe shumë të tjera. Spitalet më të mëdha kishin më shumë pavione dhe nënspecialitete të ndryshme, dhe çdo pavion kishte një oficer përgjegjës dhe një oficer drejtues përveç një specialisti mbikëqyrës.

Spitalet ishin të pajisur edhe me një inspektor sanitar i cili ishte përgjegjës për sigurimin e pastërtisë dhe praktikave higjienike. Përveç kësaj, kishte kontabilistë dhe staf tjetër administrativ për të siguruar që kushtet e spitalit – financiare dhe të tjera – përmbushnin standardet. Ishte një mbikëqyrës, i quajtur sa’ur, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e menaxhimit të të gjithë institucionit.

Mjekët punonin me orë fikse, gjatë të cilave shihnin pacientët që vinin në pavionet e tyre. Çdo spital kishte stafin e vet të farmacistëve (sejdalani) dhe infermierëve të licensuar. Pagat e personelit mjekësor përcaktoheshin me ligj dhe kompensimi shpërndahej me një normë mjaft bujare për të tërhequr të talentuarit.

Financimi për spitalet islame vinte nga të ardhurat e grumbulluara nëpërmjet vakëfeve. Njerëzit dhe sundimtarët e pasur u dhuronin prona bimaristaneve ekzistues ose të sapondërtuar si vakëf, dhe të ardhurat nga dhurimet paguheshin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen. Të ardhurat nga një dhurim ndonjëherë do të mbulonin gjithashtu një pagë të vogël për pacientin pas pushimit nga puna. Një pjesë e buxhetit të shtetit shkonte edhe për mirëmbajtjen e spitaleve. Për pacientët, shërbimet e spitalit ishin falas, megjithëse mjekët individualë herë pas here paguheshin me tarifa.

Kujdesi për Pacientin

Bimaristanet ishin të hapura për të gjithë 24 orë. Tek disa shkonin vetëm burra, ndërsa tek të tjerët, të pajisur me mjeke gra, shkonin vetëm gra; ndërsa kishte edhe të tjerë që kujdeseshin për të dyja palët në krah të veçantë me lehtësira dhe burime të dyfishta. Për të trajtuar rastet më pak serioze, mjekët plotësonin klinikat ambulatore dhe rekomandonin ilaçe për t’u marrë në shtëpi.

Masa të veçanta merreshin për të parandaluar infeksionet. Pacientëve të shtruar u jepeshin veshje spitalore nga një zonë qendrore e furnizimit, ndërsa rrobat e tyre mbaheshin në magazinën e spitalit. Kur dërgoheshin në pavionin e spitalit, pacientët gjenin gati shtretërit me çarçafë të pastër dhe dyshekë të veçantë e të rehatshëm. Dhomat dhe repartet e spitalit ishin të rregullta dhe të pastra, me ujë të rrjedhshëm dhe rreze dielli që depërtonin brenda.

Inspektorët vlerësonin çdo ditë pastërtinë e spitalit dhe dhomave. Nuk ishte e pazakontë që sundimtarët lokalë të bënin vizita personale për t’u siguruar që pacientët po merrnin kujdesin më të mirë. Kursi i trajtimit të përshkruar nga mjekët fillonte menjëherë pas mbërritjes. Pacientët vendoseshin në një dietë fikse, në varësi të gjendjes dhe sëmundjes. Ushqimi ishte i cilësisë së lartë dhe përfshinte mish pule dhe shpendë të tjerë, viçi dhe qengji, si dhe fruta dhe perime të freskëta.

Kriteri kryesor i rikuperimit ishte që pacientët të ishin në gjendje të hanin, një sasi buke normale për një person të shëndetshëm, së bashku me mishin e pjekur të një zogu të tërë. Nëse pacientët mund ta tresnin lehtësisht, ata konsideroheshin të shëruar dhe më pas liroheshin. Pacientët që ishin shëruar, por shumë të dobët për t’u lëshuar, transferoheshin në repartin e konvaleshencës derisa bëheshin mjaftueshëm të fuqishëm për t’u larguar. Pacientëve në nevojë u jepeshin rroba të reja, së bashku me një shumë të vogël për t’i ndihmuar ata të rifillonin jetesën e tyre.

Në Egjipt, Kompleksi al-Mansur Kalawun në Kajro përfshin një spital, shkollë dhe mauzole. Ai daton nga 1284-85.

Mjeku dhe udhëtari i shekullit të 13-të ‘Abd el-Latif el-Baghdadi, i cili gjithashtu jepte mësim në Damask, rrëfente një histori zbavitëse të një të riu të zgjuar pers, i cili u tundua aq shumë nga ushqimi dhe shërbimi i shkëlqyer i spitalit Nuri, saqë u shtir si i sëmurë. Mjeku që e ekzaminoi e kuptoi se çfarë po bënte i riu dhe e pranoi megjithatë, duke i siguruar të riut ushqim të mirë për tre ditë. Ditën e katërt, mjeku shkoi te pacienti i tij dhe i tha me një buzëqeshje të dhimbshme: “Mikpritja tradicionale arabe zgjat tre ditë: Ju lutemi shkoni në shtëpi tani!”

Cilësia e kujdesit i nënshtrohej inspektimit dhe madje vlërësimit, siç tregohet nga Ibn el-Ukhuwa në librin e tij “Ma’alem al-Qurba fi Talab al-Hisba” (Veçoritë e Marrëdhënieve në al-Hisba): nëse pacienti shërohet, mjeku paguhet. Nëse pacienti vdes, prindërit e tij shkojnë te mjeku kryesor; ata paraqesin recetat e shkruara nga mjeku. Nëse kryemjeku gjykon se mjeku e ka kryer punën e tij në mënyrë të përsosur pa neglizhencë, ai u thotë prindërve se vdekja ishte e natyrshme; nëse gjykon ndryshe, u thotë: e vrau nga performanca e tij e keqe dhe pakujdesia. Merrni nga mjeku paratë e gjakut të të afërmit tuaj. Në këtë mënyrë të nderuar, ata ishin të sigurt se mjekësia ushtrohej nga persona me përvojë, të trajnuar mirë.

Përveç spitaleve të përhershme, qytetet dhe vendbanimet kryesore kishin gjithashtu qendra të ndihmës së parë dhe të kujdesit akut. Këto zakonisht ishin të vendosura në vende publike të ngarkuara si xhamitë e mëdha. Maqrizi e përshkroi një në Kajro: Ibn Tuluni, kur ndërtoi xhaminë e tij me famë botërore në Egjipt, në njërin skaj të saj kishte një vend për abdes dhe në tjetrin një dispanseri. Dispanseria ishte e pajisur mirë me ilaçe dhe shoqërues. Të premteve aty ishte një mjek kujdestar, i cili përkujdesej për ndonjë viktimë të mundshme me rastin e kësaj mbledhjeje vigane.

SHEILA TERRY / LIBRARIA E FOTOS SHKENCORE
Vizatim i një skene ne spitalin në Kordovë, atëbotë Andaluzia (Spanja myslimane), ky ilustrim i vitti 1883 tregon mjekun e famshëm el-Zahrawi (i njohur si Abulcasis në Perëndim) duke vizituar një pacient kur asistenti i tij mban një kuti me ilaçe.

Shkollat dhe Bibliotekat Mjekësore

Për shkak se një nga rolet kryesore të spitaleve ishte trajnimi i mjekëve, çdo spital kishte një sallë të madhe leksionesh ku studentët, së bashku me mjekë të lartë dhe oficerë mjekësorë, takoheshin dhe diskutonin problemet mjekësore në stilin e seminarit. Ndërsa trajnimi përparonte, studentët e mjekësisë do të shoqëronin mjekët e moshuar në pavione dhe do të merrnin pjesë në kujdesin ndaj pacientëve – praktikë shumë e ngjashme me programin modern rezidencial.

Tekstet e mbijetuara, si ato në ‘Uyun al-anba’ fi tabaqat al-atibb’ (Burimet e informacionit mbi klasat e mjekëve), si dhe shënimet e studentëve, zbulojnë detaje të këtyre raundeve të hershme klinike. Ka udhëzime për dietat dhe recetat për trajtimet e zakonshme, duke përfshirë sëmundjet e lëkurës, tumoret dhe ethet. Gjatë raundeve, studentëve iu thuhej të ekzaminonin veprimet e pacientëve, jashtëqitjet dhe natyrën dhe vendndodhjen e enjtjes dhe dhimbjes. Studentët udhëzoheshin gjithashtu të vinin re ngjyrën dhe ndjesinë e lëkurës, qoftë e nxehtë, e ftohtë, e lagësht, e thatë apo e çlirët.

Trajnimi kulmonte me një provim license për të ushtruar profesionin e mjekut. Kandidatët duhej të paraqiteshin para shefit të mjekësisë së rajonit të caktuar nga qeveria. Hapi i parë që kërkohej ishte të shkruante një traktat mbi temën në të cilën kandidati donte të merrte një çertifikatë. Traktati mund të ishte pjesë origjinale e kërkimit ose një koment mbi tekstet ekzistuese, si ato të Hipokratit, Galenit dhe, pas shekullit të 11-të, Ibn Sinasë, e të tjerë.

Kandidatët inkurajoheshin jo vetëm t’i studionin këto punime të mëparshme, por edhe t’i shqyrtonin ato për gabime të mundshme. Ky theks mbi empirizmin dhe vëzhgimin në vend të nënshtrimit ndaj autoriteteve ishte një nga motorët kryesorë të fermentimit intelektual mesjetar islam. Pas përfundimit të traktatit, kandidatët intervistoheshin gjerësisht nga përgjegjësi i mjekësisë, i cili u bënte pyetje që lidheshin me problemet e specialiteteve të ardhshme. Përgjigjet e kënaqshme çonin në praktika të licensuara.

Një aspekt tjetër kyç për spitalin dhe me rëndësi kritike si për studentët ashtu edhe për mësuesit, ishte prania e bibliotekave të gjera mjekësore. Në shekullin e 14-të, Spitali Ibn Tulun i Egjiptit kishte një bibliotekë që përfshinte 100,000 libra në degë të ndryshme të shkencës mjekësore. Kjo ishte në një kohë kur biblioteka më e madhe e Europës, në Universitetin e Parisit, mbante 400 vëllime.

Djepi i mjekësisë islame dhe prototipët për spitalet e sotme, bimaristanët llogariten ndër arritjet e shumta shkencore dhe intelektuale të botës mesjetare islame. Por nga të gjitha, kur godet shëndeti i keq ose lëndimi, nuk ka trashëgimi më kuptimplote.

***

Më poshtë është përkthimi i letrës së një të riu francez nga spitali i Kordovës në shekullin e dhjetë:

<<Keni përmendur në letrën tuaj të mëparshme se do të më dërgonit pak para për t’i përdorur në kostot e ilaçeve. Unë të them, nuk kam nevojë për to fare sepse trajtimi në spitalin islamik është falas. Gjithashtu ka edhe diçka tjetër në këtë spital. Ky spital i jep një veshje të re dhe pesë dinarë çdo pacienti që është shëruar tashmë që të mos detyrohet të punojë në periudhën e pushimit dhe rikuperimit.

I dashur baba, nëse do të dojë të më vizitojë, do të më gjesh në pavionin e kirurgjisë dhe trajtimit të artikulacioneve. Kur të hyni në portën kryesore, shkoni drejt sallës jugore dhe do të gjeni pavionin e ndihmës së shpejtë dhe atë të diagnostikimit të sëmundjeve, më pas do të gjeni pavionin e artritit (sëmundjeve të artikulacioneve). Ngjitur me dhomën time do të gjeni një library dhe një sallë ku doktorët takohen për të dëgjuar leksionet që jepen nga profesorët. Gjithashtu, kjo sallë përdoret edhe për lexim. Pavioni i gjinekologjisë gjendet në anën tjetër të oborrit të brendshëm të spitalit. Burrat nuk lejohet të hyjnë në të. Në të djathtë të oborrit të spitalit gjendet një sallë e madhe pë rata që janë shëruar. Në këtë vend, ata kalojnë periudhën e pushimit dhe konvaleshencës për disa ditë. Kjo sallë ka një library të veçantë dhe disa instrumenta muzikorë.

I dashur baba, çdo vend në këtë spital është jashtëzakonisht i pastër. Krevatet dhe jastëqet janë të mbuluar me copë të bardhë të mirë nga Damasku. Mbulesat e krevatëve janë prodhuar nga pellush i butë delikat. Të gjitha dhomat në këtë spital furnizohen me ujë të pastër. Ky ujë sillet në dhoma përmes tubash që lidhen me një burim të madh uji. Jo vetëm kjo, por edhe çdo dhomë është e pajisur me një stufë ngrohjeje. Sa për ushqimin, pula dhe perimet shërbehen gjithmonë aq sad isa pacientë nuk duan të largohen nga spitali për shkak të dëshirës dhe ëndjes për këtë ushqim të shijshëm.>>

[The Islamic Scientific Supremacy. Ameer Gafar Al-Arshdy. 1990, Beirut, Al-Resala Establishment.]

Përktheu: Kevi Muçllari


[1] Humoralizmi është një teori e kompozimit dhe funksionimit të trupit njerëzor bazuar në idenë se ai ishte i mbushur me katër substanca bazike, ose humore, adoptuar nga mjekët dhe filozofët grekë dhe romakë.