Përshkrimi Profetit nga Ali ibn Ebu Talib

Shpërndaje

ʽAlī ibn Ebū Ṭālib (r.a.) e përshkroi Profetin (s.a.w.s.) në këtë mënyrë: “Ai nuk ishte vulgar, as nuk e falte vulgaritetin dhe nuk bërtiste në treg. Ai nuk e kthente të keqen me të keqe, por falte dhe nuk vinte re. Kurrë gjatë gjithë jetës së tij nuk qëlloi kënd me dorën e tij, përveç se kur luftonte në emër të Allahut. Nuk qëlloi kurrë shërbëtorin as gruan.

Unë kurrë nuk e pashë të hakmerrej për një padrejtësi që i shkaktohej, përveç rasteve kur shkileshin ndalesat e Allahut. Nëse shkileshin kufinjtë e Allahut, ai ishte nga më të zemëruarit. Saherë i jepej mundësia të zgjidhte, zgjidhte me të lehtën. Kur hynte në shtëpi, ishte si çdo burrë; pastronte tunikën e tij, milte dhinë dhe shërbente vetë.

Ai e përmbante gjuhën nga çfarë nuk i interesonte. Ai i afronte njerëzit dhe nuk u rrinte larg. Ai e nderonte njeriun e fisëm dhe i besonte përgjegjësi. Ai ishte i matur me njerëzit dhe frenohej para tyre, por nuk e kursente buzëqeshjen e ngrohtë apo sjelljen e duhur. Ai interesohej për shokët e tij dhe pyeste njerëzit për to. Ai e përkrahte të mirën dhe e përmirësonte atë dhe i kundërvihej të keqes dhe e luftonte atë. Ai ishte i qetë dhe i qëndrueshëm. Nuk ishte kurrë i shkujdesur, që njerëzit të mos mësoheshin të shkujdesur dhe të bëheshin mospërfillës. Ishte i përgatitur për çdo rast dhe kurrë nuk i mungonte drejtësia, as nuk e tepronte.

Më pranë tij qëndronin njerëzit më të mirë dhe njerëzit më të mirë në sytë e tij ishin më të kuptueshmit në këshillë. Më i larti mes tyre ishte më i kujdesshmi me të tjerët dhe ai që i ndihmonte njerëzit. Saherë ulej apo ngrihej lëvdonte [Zotin]. Nëse shkonte në një kuvend, ulej në fund të grupit (dhe jo në krye) dhe kështu i nxiste njerëzit. Çdokujt që ulej pranë tij, i jepte vëmendje, aqsa çdocili prej tyre ndihej se askush nuk ishte më i rëndësishëm se ai për Profetin (s.a.w.s). Nëse vinte dikush të ulej pranë tij apo t’i kërkonte një nder, ai ishte i durueshëm dhe qëndronte me të derisa miku të largohej.

Kushdo që vinte me një kërkesë ndaj tij, kthehej me çfarë kishte kërkuar ose me një fjalë të përzemërt. Gazmendi dhe sjellja e tij e mirë i kishte pushtuar të gjithë, saqë ai u bë si një baba për ta dhe të gjithë fituan të drejta të barabarta. Kuvendet e tij ishin kuvende dijeje, përunjësie, durimi dhe fisnikërie. Aty nuk ngrihej zëri, as nuk shkileshin ndalesat. Ai nuk i vinte në dukje gabimet e të tjerëve, por nuk reshte së këshilluari dronë ndaj Zotit. Gjatë këtyre kuvendeve, respektoheshin të thyerit në moshë, fëmijëve u falej mëshirë, u jepej përparësi atyre që ishin më ngusht dhe mbroheshin të huajt.”

Ai vijon: “Ai ishte paprerë i buzëqeshur, miqësor në sjellje, i butë në natyrë. Ai nuk ishte i vrazhdë, i pashpirt, i zhurmshëm, shfrytëzues apo dorështrënguar. Çdo gjë që nuk i pëlqente, nuk e përfillte dhe kurrë askush nuk u dëshpërua prej tij. Asnjëherë nuk iu përgjigjej nënçmimit apo fjalëve të ulëta. Ai ia kishte ndaluar vetes tri gjëra: debatin, mendjemadhësinë dhe atë që nuk i takonte. Nga tri gjëra i lehtësoi njerëzit: nuk diskreditonte askënd as nuk i fyente, nuk gjurmonte nderin apo çështjet e tyre private dhe fliste vetëm në rastet kur shpresonte se do të shpërblehej. Kur fliste, pjesëmarrësit i ulnin kokat si t’u ishin ulur zogj mbi supe. Kur ai mbaronte, ata flisnin.

Ata nuk haheshin për fjalën me njëri-tjetrin në prani të tij, por kur dikush fliste, e dëgjonin derisa të mbaronte. Në prani të tij, fliste i pari i tyre. Qeshte me njerëzit dhe shprehte habi. Kishte durim me të panjohurit kur flisnin ashpër dhe kërkonin shumë, aq sa shokët e tij do t’i qëllonin. Ai thoshte: “Nëse shihni ngushtë ndokënd, silleni tek unë. Pranonte lëvdatë vetëm prej njerëzve të matur dhe të përmbajtur. Nuk ndërkallte të folmen e tjetrit nëse nuk mëkatonte, për çka ai mund t’i qortonte apo mund të largohej. Ai ishte më zemërgjeri, më fjalëdrejti, më i buti dhe fisnik në marrëdhënie.

Ai që e shihte për herë të parë, i frikësohej, ndërsa ai që shoqërohej me të, e donte. Ata që e përshkruajnë thonë: “Nuk kam parë kurrë më parë apo më pas një njeri të ngjashëm më të, paqja qoftë mbi të’”.