Mposhtja e joshjes së ISIS-it

Shpërndaje

Kryemyftiu i Egjiptit, Sheuḳi Al-lām, vuri pikat mbi ‘i’ duke porositur njerëzit t’i drejtohen ISIS-it si SKIS apo Separatistët e al-Kaedës në Irak dhe Siri (QSISal Qaeda Separatists in Iraq and Syria). Bota e pati luftuar më parë el-Kaedën dhe kjo nxiti krijimin e degëve të shumta të organizatës, si Xhund el Islam (Egjipt), Ensar el Sheria (Egjipt, Libi, Jemen), Ensar Bejt el Makdis (Egjipt) dhe, më së fundi, ISIS.

Këto grupe erdhën në jetë pjesërisht për shkak se besimet e gabuara që ata mbështesin kanë rrënjë të thella në sistemet tona edukative, xhamitë tona, mediat dhe madje në mënyrën se si mendojmë, reagojmë dhe jetojmë.

Kurrikulat shkollore në disa vende myslimane janë të mbushura me virusin e fundamentalizmit dhe ekstremizmit, duke prodhuar një gjeneratë ekstremistësh. Këto shkolla tani po mundohen të shfajësojnë veten për diplomimin e tyre.

Ngjashmërisht, institucione të tjerë ofrojnë edukim të dobët dhe joefikas. Vëllimi i dijeve rreth Islamit që fitojnë këta studentë nuk është i mjaftë për t’i mbrojtur ata nga rënia në rrjetën merimangës së rekrutimit ekstremist. Ne shohim mjekë, inxhinierë dhe matematicienë — të gjithë të diplomuar në këto institucione — të luftojnë në radhët e ISIS. Ne kemi parë edhe të diplomuar në degët lokale të institucioneve të huaja dhe universiteteve amerikane të futen në shërbim për ISIS-in.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, pjesa më e madhe e vendeve myslimane hoqën dispozitat e xhihadit nga kurrikulat e tyre shkollore. Rezultati është një gjeneratë të rinjsh pa kuptimin e drejtë të dispozitave të xhihadit sipas ligjit islam. Kësisoj, esktremistët ishin në gjendje t’i bindin me lehtësi, që krimet në të cilat po përfshiheshin nën maskën e xhihadit ishin ‘xhihad’ i vërtetë për hir të Zotit.

Ngjashëm, xhamitë në shumë vende priren të bien në njërën nga dy kategoritë: kemi xhami, predikuesit e të cilëve u mbushin kokat xhemateve të tyre me ekstremizëm dhe intolerancë, zemrat me urrejtje dhe mllef dhe shpirtrat me zemërim e arrogancë. Predikimet e tyre janë të zjarrta, mësimet e tyre janë dinake dhe, madje, orët e memorizimit të Kuranit shërbejnë si mënyra për rekrutimin e të rinjve që në moshë të re.

Një kategori tjetër e xhamive është ai lloj, predikuesit e të cilave thjesht bëjnë punën e tyre. Ata nuk kanë ndonjë dëshirë të njëmendtë për t’i ftuar njerëzit tek Zoti, për t’u shëbyer dhe për të përtëritur besimin e tyre. Predikimet e tyre janë të dobëta dhe sipërfaqësore. Njerëzit marrin pjesë në to vetem se duan të kryejnë detyrimin e tyre fetar. Ata që vijnë të luten, largohen në të njëjtën gjendje siç hynë, vetëm se më të mërzitur e më të pakënaqur.

Pastaj vjen roli që luajnë kanalet satelitore. Edhe ato mund të ndahen në dy kategori: ata që promovojnë një diskur fetar që nxit urrejtjen, mbyll mendjet dhe inkurajon sektarizmin. Person fetar paraqitet të jetë dikush i zhveshur nga çdolloj bukurie, dashurie apo reflektimi. E përdorin fenë si instrument marketingu për të shitur produktet që nuk dallojnë shumë nga gjërat e zakonshme përveçse kanë etiketa fetare si “Mecca Cola”, “Zam Zam Cola” dhe “Kaaba Perfume”. Tregëtojnë madje edhe shërues bimorë që pasaktësisht etiketohen “mjekësi profetike”.

Kategoria e dytë e kanaleve luan me emocionet e komunitetit duke pretenduar se gjithkush është në gjendje të lëshojë verdikte ligjore ose fetva. Ata fabrikojnë tema shpirtërore, sulmojnë vlerat fetare dhe përhapin besime sekulare të vijës së ashpër. E justifikojnë këtë duke thënë se po ushtrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, lirinë e tyre për të iluminuar njerëzit dhe lirinë për të sjellë ndryshim. E gjithë kjo bëhet pa treguar aspak respekt për vlerat, etikën apo normat shoqërore.

Ata vetëm sa e zgjerojnë defiçitin mendor dhe emocional që ndjejnë shumë të rinj: ndjenjën e sinqertë të shqetësimit dhe dalzotësisë që ndjejnë të rinjtë për fenë dhe vlerat e tyre — dhe zemërimin që ndjejnë kur vihen në lojë simbolet e tyre fetare. Ekstremistët e shfrytëzojnë këtë situatë duke u ofruar një mundësi për shkarkimin e këtyre ndjenjave duke iu bashkuar përpjekjes së armatosur në “mbrojtje” të fesë dhe vlerave të tyre.

Përpara se iluminimi, liberalizmi dhe ndryshimi rajonal të hahet me ne për këto pretendime, ta bëjmë të qartë se çdo shoqëri mbi tokë bie në ujdi se liria e shprehjes u nënshtrohet ligjeve dhe kufizimeve që rregullojnë ndarjen e mprehtë ndërmjet Parimit të Dëmit — që “veprimet e individëve duhet të kufizohen vetëm për të parandaluar dëmtimin e të tjerëve” — dhe asaj që është e paligjshme.

Shoqëritë ndryshojnë. Disa rregullohen përmes parimeve ligjore, të tjera përmes parimeve fetare dhe pjesa tjetër nga kode të pashkruara që interpretohen përgjithësisht si common sense. Gjithë sa më lart nënkupton se çdo folës duhet të jetë i vetëdijshëm se ai ose ajo do të mbajë përgjegjësi për çfarë thotë. Të thuash se një shoqëri ka liri absolute të shprehjes është naive. Ne duhet ta tejkalojmë këtë dhe të rrekemi të ndërtojmë një shoqëri që drejtohet nga disa prej parimeve që përmendëm.

Ka diçka më delikate, ndërkohë, sesa problemet me institucionet tona të edukimit, xhamitë dhe median. Shumë prej nesh kanë mentalitet të ngjashëm me ISIS-in. Ka burra, për shembull, që janë jashtëzakonisht të ashpër në marrëdhëniet e tyre me gratë dhe fëmijët. Është fjala për kapriçot e kontrollit që nuk tolerojnë diskutime në shtëpi as nuk rishqyrtojnë vendimet e tyre, sepse ata e shohin këtë si një përdhosje dhe shfuqizim të të drejtës së tyre patriarkale.

Ata mund, madje, të citojnë shkrimet si evidencë për të mbrojtur të drejtat e tyre, ndërsa injorojnë faktin që të tjerët kanë të drejta gjithashtu. Ata mund të jenë njësoj të ashpër dhe autoritarë në marrëdhënie me punonjësit dhe vartësit e tyre, edhe nëse njerëzit e vetëm që punojnë për ta janë shoferët dhe shërbëtoret e tyre.

Ideologjia e turpshme kriminale e ISIS-it është pasojë natyrore e këtyre faktorëve. Nëse nuk kemi një strategji të qartë dhe gjithëpërfshirëse për të shëruar këtë sëmundje, njëmijë organizata të tjera do të lindin pas shkatërrimit të ISIS-it.

Opsioni ushtarak duhet të përdoret si një bisturi kirurgu — që funksionon në bashkëpunim me një program të plotë trajtimi. Nëse nuk bëhet kështu, lufta ndaj ISIS-it do të shkaktojë vetëm copëtimin e ideologjisë — përfshirë edhe përforcimin e dashurisë së disa të rinjve për ta. Ky trajtim duhet të rrokë sferat shpirtërore, morale dhe edukimore.

Luftimi i atyre që kanë rrokur armët nuk duhet dënuar. Në fakt, do të ishte i detyrueshëm kur situata bëhet kritike. Megjithatë, duhet të ketë një vizion gjithëpërfshirës për t’u marrë me ISIS-in dhe ideologjinë e mendimet e tij përfaqësuese.

Dijetarët fetarë, udhëheqësit fetarë, intelektualët dhe media duhet të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje të mençur. Qeveritë duhet të bëjnë detyrën e tyre për të zhvilluar shpirtrat dhe mendjet e rinisë.

Ato duhet të kuptojnë se kualifikimi profesional dhe krijimi i vendeve të punës, sado të rëndësishëm, nuk janë të mjaftueshëm për të zgjidhur problemin, siç po e tregon edhe gjendja aktuale. Shpeshherë ne kemi parë përpjekje të suksesshme në shuarjen e zjarrit të dhunës ekstremiste. Por ato mbështeteshin thelbësisht në një reagim instiktiv ndaj ngjarjeve të përditshme. Ka ardhur koha që të shkojmë përtej zgjidhjes afatshkurtër të problemeve tona.