Moderniteti sipas Shtetit Islamik, Boko Haramit, Talebanëve etj

Shpërndaje

Çfarë kanë të përbashkët Shteti Islamik (ISIS) Boko Haram dhe Talebanët? Ekstremizmin? Kalifatizmin? Dhunën? Të gjithë këto gjëra janë thjesht episodike te këto grupe. Ajo që është thelbësore tek ato është të qenurit e tyre formacione tërësisht moderne. Çfarë dua të them me këtë, ndërkohë që ata përpiqen të na lënë përshtypjen se janë antiteza e vërtetë e modernitetit?

Para së gjithash, është e një rëndësie kritike të pyesim veten çfarë kuptojmë me modernitet. Ne supozojmë se moderniteti nënkupton arsye, shkencë, liri, drejtësi, barazi racore, gjinore dhe seksuale. Këto janë supozimet kryesore. Ato janë idealet që janë projektuar nga një diskurs i zhurmshëm perëndimor, ku Perëndimi shihet si pararendës dhe furnizues i tyre.

Ka shumë gjasë që po të them se Perëndimi është larg të realizuarit të këtyre idealeve, lexuesi do të çuditet disi. Në Perëndim ka pabarazi masive me bazë seksualitetin, gjininë dhe racën; koston e lirisë perëndimore, qoftë politike, ekonomike apo konsumeriste, e paguajnë njerëzit që jetojnë në vendet joperëndimore.

Kjo mungesë e lirisë shkon shumë më larg dhe më thellë, duke arritur në historinë e mënyrës se si popujt joeuropianë u mësuan të mendojnë gjatë kohëve kolonialiste. Për shembull, çdo studim serioz i historisë së kolonializmit dhe projekteve të tij të arsimimit zbulon shkallën në të cilën Europa rikonfiguroi mënyrën e të njohurit të popujve të kolonizuarnë mënyrën e saj të të menduarit — një mënyrë të menduarit që i ka rrënjët në Iluminizëm, i cili karakterizohet nga mënyrat e tij specifike të arsyetimit.

Ky lloj arsyetimi — i ngatërruar me kundërthëniet dhe papërputhshmëritë e brendshme — është ngritur mbi pjesën tjetër të botës si një diskurs hegjemonik, në krahasim me të cilin matet racionaliteti i pjesës tjetër të botës.

Por, ç’lidhje ka e gjithë kjo me dhunën e grupeve të sipërpërmendura? Sigurisht, dhuna është dhunë dhe nuk ka dyshim se unë nuk jam duke argumentuar për një të kuptuar relativiste të asaj që përbën të mirën dhe të keqen në emër të një logjike specifike.

Argumenti im qëndron në dy sfera qëndrore të diskutimit mbi të cilët duhet reflektuar me kujdes: 1) rikonfigurimi kolonial i institucionit të sheriatit dhe 2) kushtet e qenësishme të shtetit modern.

Institucioni historik i sheriatit

Historiani i njohur i sheriatit Wael Hallaq, i ka përshkruar mbase në mënyrë përfundimtare ndryshimet me ndikim më të gjerë që solli kolonializmi në institucionin historik të sheriatit — një institucion që ishte tërësisht i rrënjosur te njerëzit dhe thellësisht etik në natyrë.

Sheriati historik nuk ishte ndëshkues. Është me rëndësi të çmojmë historinë e sheriatit, sepse përpjekjet e grupeve moderne për të themeluar një shtet islamik vërtiten rreth dëshirës për të zbatuar sheriatin. Kësisoj, pjesa më e madhe e dhunës duhet të gjurmohet në të kuptuarit nga ana e tyre të asaj që ngërthen sheriati, si tani, ashtu edhe nën mbrojtjen e një shteti tëëndërruar islamik.

Qëllimi i sheriatit paramodern ishte të ndërtonte një kohezion komunitar, përmes kadinjve lokalë,ose gjyqtarëve, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me shtetin, dhe ndërhyrjes së tyre ndërmjet palëve në konflikt. Në kohët paramoderne, dënimet që sot jemi kushtëzuar t’i asociojmë në mënyrë të menjëhershme me sheriatin kanë qenë shumë të rralla, edha atëhere kur ka patur të tilla.

E përsëris, sheriati ishte një institucion rrënjësisht etik, qëllimi qëndror i të cilit ishte ruajtja e harmonisë shoqërore, mbi bazën e dashurisë dhe mirëbesimit ndërmjet komuniteteve dhe para Zotit.

Kështu pra, çfarë po dëshmojmë sot? Si rezultat i çmontimit kolonial të institucioneve historike të sheriatit — të cilat përfshinin vakëfet apo dhurimet,si dhe medresetë apo shkollat fetare — dhe zëvendësimin e tyre me kodet ligjore europiane, sheriati reshti se qëni një fushë studimi dhe praktikimi në mënyrën që ishte studiuar dhe praktikuar për shekuj më parë.

Përfytyroni mjekësinë moderne duke u përpjekur të funksionojë pa investimet miliarda dollarëshe në kërkime, pa institucionet e mjekëve, infermierëve dhe spitaleve që veprojnë në nivele të ndryshme, me qindra mijëra gra dhe burra që trajnohen në logjikën dhe metodologjinë mjekësore moderne çdo vit. Pa gjithë këto, vetë institucioni i mjekësisë moderne do të reduktohej në diçka pak më shumë se sharlatanizmi. Çfarë ka mbetur nga institucioni i sheriatit?

Përveç çmontimit të institucioneve financiare që mbështesnin studimin dhe kultivimin e sheriatit, ashtu si çdo degë me jetëe dijes, tradita e prindërve muslimanë që dërgonin fëmijët e tyre më të zgjuar në medrese për t’u bërë dijetarë të ligjit islam është bërë diçka që i përket të shkuarës.

Ndonëse jo të gjithë ata që studiojnë sheriatin sot janë njerëz të trashë, historia e gjatë e angazhimit intelektual serioz nga ana e njerëzve plotësisht të aftë është ndikuar nga shpërngulja kolonialee të mësuarit tradicional prej edukimit modern perëndimor. Që këtej buron dhe ngulmimi tashmë proverbial që më të shkëlqyerit në botënIslame të bëhen doktorë dhe inxhinierë. Me që ra fjala, një përqindje e lartë e pseudo-islamistëve kanë diploma në inxhinieri.

Sheriati dhe shteti modern

Megjithëse shteti modern është sot forma politike më normale dhe më e natyrshme, prapëseprapë vështirë se gjendet diçka e natyrshme apo e pashmangshme rreth tij. Ai u formua si pasojë e një grumbulli ngjarjesh historike në Europë — nga të cilat jo më pak të rëndësishme kanë qenënegociatat diplomatike ndërmjet fuqive europiane që konkuronin për pasuritë e kolonive. Shteti modern ka cilësi të veçanta të formës, siç përshkruhen nga Hallaq në veprën e tij “Shteti i Pamundur”, ku nga aspektet me ndikim më të gjerëështë ai i centralizimit të ligjit.

Kur sheriati rikonfigurohet sipas logjikës së shtetit modern — kini parasysh se sheriati nuk ka qenë kurrë i centralizuar në kohët paramoderne — atëhere ajo që vjen nga pas është logjika “një masë për të gjithë”. Në kushtet e shtetit modern, të menduarit e njerëzve rreth vetë sheriatit bëhet ai i urdhëresave dhe ndalesave dhe, ç’është më e rëndësishme, ndëshkimit.

Kështu, sheriati bëhet një sistem ndëshkimi ku jepen apo ëndërrohen ndëshkimet me ekstreme në masë, pa asnjë sens diferencimi dhe kontekstualizimi, siç ndodhte me sheriatin paramodern, dhe kjo është e vërtetë qoftë kur ligji zbatohet nga një aparat shtetëror i sofistikuar, në vende si Arabia Saudite, Irani apo Brunei, apo nga grupi i “Shtetit Islamik”, Boko Haramiapo Talibanët, të cilët përdorin një metodë më të improvizuar.

Është për këtë arsye që Hallaq argumenton se termi “shtet islam” përmban kundërthënie në terminologji. Një rend islam, siç ilustrohet nga sheriati paramodern i përshkruar më sipër, është thellësisht etik, ndërsa shteti modern është vetëm me raste moral, nëse nuk është faktikisht amoral apo imoral.

Dhe ky është, pikërisht, rezultati ku dua të mbërrij. Këta grupe nuk janë barbarë primitivë që kërkojnë kthimin e kohëve të dikurshme — pavarësisht dëshirës së tyre për t’u kthyer në një të shkuar që ne e dimë tashmë se është fiktive. Ata janë thellësisht modernë; ata janë produkte të modernitetit. Si rrjedhojë, të menduarit e tyre është pashmangshmërisht modern dhe post-kolonial — në kuptimin e të qenurit në mënyrë të pandërgjegjshme të latuar nga historia e kolonializmit — edhe pse ne luftojmë të gjejmë ndonjë ngjashmëri familjare mes tyre dhe veteve tona. Ata janë, me fjalët e teoricienit politik Roxanne Euben, “armiqtë në pasqyrë”.

Përktheu: Vehap Kola

*Hasan Azad është kandidat doktorant në Studimet Islame pranë Universitetit të Kolumbias.

Burimi: http://www.aljazeera.com/indepth/opinion/2014/07/modernity-sharia-nation-state-201471011222927143.html