Me Sheriat apo pa Sheriat: Çështja e Islamopolitikës

Shpërndaje

Forumi Pew për Fenë dhe Jetën Publike (Pew Forum on Religion and Public Life) bëri publike rezultatet e fundit nga një studim i muslimanëve në botë sa i përket fesë, politikës dhe shoqërisë.

Megjithëse ka një larmishmëri të gjerë, duket se shumica e muslimanëve duan që Sheriati (Ligji i Islamit) të jetë ligj qeverisës në vendet e tyre dhe të luajë një rol të rëndësishëm në procesin politik.

Ndërkohë, megjithëse shumica e muslimanëve bien në një mendje mbi parimet e përgjithshme të zbatimit të Sheriatit, ata nuk duket të bien në ujdi rreth asaj se çfarë nënkupton ky term. Me ndryshmëritë në kuptimin dhe burimet që mund të gjejë në traditën islame, askush nuk do të zihej në befasi nga këto mosmarrëveshje.

Një histori e romanticizuar që të çon në një realitet të dështuar

Ndonëse një musliman mesatar mund të citojë arsye fetare të vlefshme për dëshirën për zbatimin e Sheriatit, mungesa e edukimit islam dhe vetëdijes rreth mënyrës së funksionimit të Sheriatit të nxit të gërmosh më thellë në motivet e tyre. Fëmijët në botën muslimane përballen tipikisht me një narrativë historike të romanticizuar dhe utopike mbi atë çfarë ishin muslimanët në të shkuarën.

Është imazh shenjtorësh që ecin mbi tokë duke përmbushur urdhëresat e Zotit dhe duke u përpjekur për të pastruar shpirtin, ndërsa njëkohësisht studionin botën dhe kontribuonin në shkencë dhe përparimin e dijes njerëzore në një shkallë të mrekullishme. Atyre u mësohet se muslimanët sot janë largësuar kaq shumë nga mësimet e Islamit, saqë Zoti po i ndëshkon duke i privuar nga ajo që ka arritur Perëndimi.

Ajo që u ka humbur nga duart muslimanëve sot është metodologjia si të jesh musliman. Kur propagandojnë utopinë e tyre hipotetike të ditëve që kanë shkuar, ata kur u mësojnë historinë islame njerëzve në botën islame, pa dashur zhvendosin fokusin nga mënyra se si mund të jemi muslimanë praktikues që kontribuojmë në të mirën e përgjithshme të shoqërisë, në përpjekjet për të kopjuar mënyrën e përpiktë në të cilën hamendësisht jetuan muslimanët e mëparshëm.

Për pasojë, shumë muslimanë sot përpiqen me mish e me shpirt për të realizuar spekulime mekanike kuantike ndaj realitetit dhe kthyer gjithkënd pas në kohë larg modernitetit “të lig”. Një mënyrë si e bëjnë këtë gjë është përmes avancimit të versioneve të ndryshme të islamopolitikës.

Uinston Çërçill ka thënë se “takti është aftësia për t’i thënë dikujt të shkojë në ferr në një mënyrë të atillë që ata t’i hyjnë udhëtimit me shpresë”. Ky takt është mishëruar në përvojën bashkëkohore të dështimit të islamopolitikës në Sudan.

Siç vërente vitin e kaluar Nesrine Malik, në përgjigje të një tjetër akti shtypës të qeverisë sudaneze në emër të Sheriatit, retorika islame në politikë ishte në krye të herës “një mënyrë e të folmes boshe rreth fesë që qeveria të fitonte legjitimitet”. Ajo përmendte se si kjo pelerinë e fetarisë shërben tani si një “instrument që lejon qeverinë t’i zbatojë dënimet në mënyrë të ashpër (në mënyrë jokonsistente) kurdo që e ndjen se është e nevojshme… për të fituar pushtetin emocional të kundërvajtjes fetare”.

Mbanash nxjerrjes së 9 miliard dollarëve jashtë vendit të varfëruar, Presidenti sudanez Omar el-Bashir akuzohet edhe për genocidin e Darfurit, ku atij i ngarkohet përgjegjësia e përpjekjes për të zhdukur tre grupe etnike joarabe. Makina propagandistike e el-Bashirit e angazhuar për të rekrutuar të rinj për të kryer këto barbarizma e mbështeste mesazhin e saj mbi një thirrje për xhihad. Kjo është pasoja e rritjes së famës dhe popullaritetit të lëvizjeve islamopolitike, ardhjes së tyre në pushtet dhe përfundimisht hegjemonisë dhe shtypjes në emër të fesë.

Të Keqkuptosh Sheriatin

Situata siç paraqitet sot nuk është pozitive. Jo vetëm që shumë muslimanë kanë një koncept të karikaturuar të modeleve të ndryshme politike, por ata kanë bërë një keqshërbim ndaj Islamit duke paraqitur një imazh teveqel të karikaturuar të asaj që në realitet është një traditë shumë e pasur dhe e ndërlikuar. Si autor i librit Islami dhe Fati i Njeriut, Charles le Gai Eaton do të shprehej se Islami është bërë “fe e Boy Scout” ku gjithkush thjesht hap librin e rregullave dhe i implementon ato. Për më tepër, një paraqitje e tillë e Islamit e ka bërë atë të duket i paaftë për të trajtuar modernitetin.

Islami nuk ka patur kurrë si qëllim të ishte një forcë detyruese që dikton mënyrën si duhet të jetë shoqëria. Por, ai vepron si një filtër që mund të përdoret në shoqëri të ndryshme dhe kërkon të eleminojë sëmundjet dhe të kremtojë aspektet e tyre të shëndetshme. Me fjalë të tjera, Islami nuk kërkon t’i kthejë ndjekësit e tij në një grup monolit, por të kremtojë diversitetin dhe pluralizmin. Vargje të shumta në Kuran e pohojnë në mënyrë të qartë këtë gjë si

“Një shenjë tjetër nga shenjat e Tij është krijimi i qiejve dhe tokës dhe ndryshmëria e gjuhëve dhe ngjyrave tuaja. Njëmend në këtë gjë ka shenja për ata që dinë” [30:22].

Një varg tjetër pohon se Zoti “ju krijoi në raca dhe fise, që të mund të njihnit njëri-tjetrin” [49:13]. Edhe kur është fjala për diversitetin e feve apo mosbesimin e hapur të Zotit, mesazhi islam është të mbrojë të drejtën e njerëzve për vetëpërcaktim. Në fakt, sipas etikës islame, besimi nuk ka asnjë vlerë nëse njerëzit nuk kanë lirinë për të mos besuar.

Në kundërti me botëkuptimin islamopolitik, që gjykon se njeriu është bërë për fenë, botëkuptimi islam pohon se feja është shpallur për njeriun dhe kjo mund të ilustrohet praktikisht me ndihmën e një shembulli. Feisal Abdul Rauf, imami dhe autori që ishte në ballë të debatit rreth xhamisë në Ground Zero në Nju Jork, publikoi një artikull në revistën shkencore University of St Thomas Law Journal, ku në mënyrë sistematike tregonte se Deklarata amerikane e Pavarësisë, Karta e të Drejtave dhe Kushtetuta janë të gjitha të përputhshme me Ligjin islam. Ajo që dëshmon ky artikull është ideja e gabuar e të parit të Islamit si diçka e huaj për t’u sjellë në vend të paradigmave ekzistuese.

Veç kësaj, ajo gjithashtu konfirmon një pohim që Averroes (Ibn Rrushd) — dijetari musliman i Andaluzisë së shek. XII — bëri për Sheriatin, që është se “Zoti krijoi intelektin dhe shpalli Sheriatin dhe ato nuk do të jenë kundërthënës”. Në fakt, përpjekjet për të ndaluar ligjin e Sheriatit mund të shihen si komike nga perspektiva ligjore islame, sepse kjo do të përfshinte minimin e sistemit ekzistues ligjor dhe ndalimin e ligjeve që janë tashmë në fuqi.

Çuditërisht, përdorimi i Islamit si platformë me slogane dhe premtime për një të nesërme më të mirë nuk është veprim i lejuar sipas të njëjtit Sheriat që këto lëvizje propagandojnë. Edhe nëse slogani ndryshohet për të mos mbartur kuptim fetar, prania e një emri religjioz për partinë si “Vëllazëria Muslimane” paraqet një problem.

Në dy faqet e para të Kuranit gjendet një varg që thotë, “Kur u thuhet atyre ‘mos shkaktoni korruptim në tokë’ ata thonë, ‘ne vetëm po i vëmë gjërat në vend, por në të vërtetë ata janë duke shkaktuar korruptim, ndonëse nuk e kuptojnë” [2:11].

Një nga urtësitë e këtij ajeti, të shënuara nga komentuesit e Kuranit, është se ne duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshëm ndaj atyre që pretendojnë të ndreqin gjendjen aktuale. Në historinë islame, kurdo që një lëvizje politike lindte me pretendimet për “të zbatuar ligjin e Zotit”, nuk ishte asnjëherë një përvojë e mirë për masat. Ata që jetuan nën sundimin e tyre, u desh të ecnin në një vijë shumë të hollë.

Shumë muslimanë mund të kundërshtojnë dhe thërrasin se Islami është një mënyrë e plotë jetese. Megjithatë, paraqitja e Islamit si një “fe e plotë” dhe një “sistem” nuk nënkupton se ai përcakton hollësi specifike rreth çdo aspekti të jetës. Nëse do të ishte ashtu, nuk do të kishte qenë kurrë e mundur të përballet me progresin dhe modernitetin. Përkundrazi, ai sjell përcaktime të përgjithshme (përkundër përshkrimeve) që kanë objektiva për të cilat mund të përshtaten gjërat përkatëse. Kundërshtimi realisht buron nga mungesa e njohjes së ndarjes brenda Ligjit të Islamit, gjë që juristët muslimanë e kanë njohur përherë.

Islami mund të ndahet përgjithësisht në dy përmasa: veprat e ritualit dhe veprat e transaksioneve të përbotshme. Aktet e adhurimit janë përcaktuar deri në hollësi dhe parimi juridik që i udhëheq ato për muslimanët është se të gjithë aktet e adhurimit janë të palejueshme përveç atyre që janë përcaktuar për t’u kryer nga Sheriati. Në të kundërt, parimi juridik që udhëheq aktet e transaksioneve të përbotshme është se të gjithë veprimet janë të lejuara përveç atyre që janë dalluar nga Sheriati si të ndaluara.

Relevanca e parimit që udhëheq transaksionet e përbotshme lidhet me rolin që duhet të luajnë njerëzit në botë. Sa i përket botëkuptimit islam, Zoti nuk i krijoi qeniet njerëzore me intelekt, që të mund ta fikin atë dhe të sillen si automatë që thjesht zbatojnë urdhëra. Pjesë e të qenurit në këtë botë është edhe përdorimi i intelektit për të diskutuar, reflektuar dhe bërë zgjedhje që mund të rivlerësohen më vonë në dritën e pasojave. Sadoqë disa specifika janë diktuar dhe janë dhënë disa udhëzime të përgjithshme, arsyeja njerëzore duhet të luajë një rol aktiv sa kohë është e pranishme në botë.

Pikëpamja islame mbi politikën

Disa juristë muslimanë kanë shkruar vepra të ndryshme rreth rolit të fesë në politikë. Nje prej përkufizimeve më të mira për politikën siç kuptohet në Islam është dhënë nga juristi i hershëm Ibn Akil (vd. 1119), i cili ka thënë:

Politikë është çdo veprim që i afron njerëzit me lartësimin dhe i largon nga rrënimi, edhe pse ajo s’është një gjë e diktuar nga Profeti dhe pse nuk ka zbritur Shpallje lidhur me të.

Një nga juristët më produktivë dhe ndër më të cituarit në traditën islame (në mënyrë ironike cituar më shumë nga klerikët sauditë sesa të tjerët) ishte Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh (vd. 1350), që identifikoi një problem që vazhdon të jetë aktual edhe sot. Ai thoshte:

Fajin qëndron tek feja. Përkundrazi, faji është i atyre që i mbyllin derën kultivimit të interesit të dobishëm; eksplorimit të objektivave më të larta të Ligjit Hyjnor; reflektimit mbi pasojat dhe prioritetet; dhe ua ngushtojnë njërezve atë që Zoti e ka zgjeruar dhe u humbin atyre shumë përfitime nga mungesa e të kuptuarit, kokëfortësia dhe dogmatizmi. Në ekstremin e përkundërt janë ata që nuk kanë respekt aspak për Ligjin Hyjnor, nuk ndalen në kufinjtë e Zotit, nuk kufizohen me Shpalljen dhe e shndërrojnë fenë në brumë të trajtësueshëm në duart e tyre për t’i dhënë çfarëdo forme që u përshtatet egove, kapriçove dhe dëshirave të tyre.

Raghib Isfahani (vd.1108), një filozof dhe teoricien politik musliman i shquar, e ndante politikën në dy lloje: politika në të cilën individi merret me punët e tij dhe politika që shfrytëzohet nga individi për të menaxhuar punët e të tjerëve. Ibn Khalduni (vd. 1405), më shumë gjasë edhe më i shquari në mesin e teoricienëve politikë muslimanë dhe një nga pionierët e kodifikimit të sociologjisë, vërente se zbatimi rigoroz i parimeve fetare i lartësonte njerëzit mbi tribalizmin dhe i lejonte ata të shihnin përtej interesit të tyre personal. Kjo vjen për shkak të pasjes së një pike absolute referimi të cilën duhet ta ndjekin të gjithë. Me fjalë të tjera, interesat personale mund të kapërcehen vetëm kur fokusi i secilit tejkalon egon drejt një fuqie më të lartë dhe absolute.

Islami vs. Muslimanët

Qeniet njerëzore duhet të jenë në plan të parë të këtij diskutimi. Mënyra se si Islami po konsiderohet si forca lëvizëse pas formacioneve islamopolitike si të ishte një agjent autonom, shmang përgjegjësinë nga njerëzit duke ua kaluar lëvizjeve. Ndërkohë që dëshira e tyre për reforma sociale dhe ekonomike është e lavdërueshme, qasja e tyre është shumë e diskutueshme.

Pas afro një shekulli shtypjesh religjioze nga diktatorë, institucione islame të delegjitimuara dhe narrativa historike të romanticizuara që hera-herës nuk do të mbështeten në realitetin, gjithë çfarë duhet bërë është organizimi i një partie islamopolitike dhe muslimanët më të arsimuar do të shoqërohen me mashtrimin. Pa plane ekonomike, sociale dhe të kujdesit shëndetësor dhe të kuptuar të thellë të mënyrës së operimit të politikës moderne, këto parti do të dështojnë. Por dështimi i tyre nuk do të jetë i tyre: në mendjet e njerëzve ai do të jetë dështim i Islamit

Shumëçka nga konflikti i supozuar që muslimani sheh në ndarjen ndërmjet fesë dhe politikës ka të bëjë më shumë me një perceptim të rremë në mendjet e tyre sesa me një realitet objektiv. Është reagimi i tyre i pamatur që i bën të refuzojnë gjith çfarë bëjnë jomuslimanët, a thua cilësia e çdo veprimi gjykohet nga fakti se kush e kryen atë. Sheriati është një aktivitet organik që përfshin intelektin njerëzor.

Përplasja aktuale zhvillohet ndërmjet muslimanëve racionalë që duan t’i japin jetë traditës islame në të gjithë spektirn e saj dhe muslimanëve dogmatikë që mendojnë se veprat politike klasike të shkruara në realitete kontekstuale tërësisht të ndryshme gëzojnë ndonjë cilësi të hyjnishme apo shenjtëri. Çfarë është më e rëndësishme, muslimanët duhet të kuptojnë faktin se progresi nuk do të vijë nga partitë politike që shfrytëzojnë lidhjen emocionale të popullatës me Islamin si një mënyrë për të fituar pushtet.

Përktheu: Vehap Kola

Burimi: http://www.aljazeera.com/indepth/opinion/2013/05/20135198390976229.html