Funksioni Shpirtëror i Qytetërimit
(Një fjalim i mbajtur në gjuhën arabe në Universitetin e Kajros, gjatë Konferencës Islamike të vitit 1964).
I kemi dëgjuar shumë herë gjatë kësaj konference fjalët “zhvillim”[1] (teṭauur) dhe “progres” (teḳaddum), “ripërtëritje” (texhdīd) dhe “renaissance” (naḥdeh), dhe them nuk do të qe kohë e humbur të ndaleshim pak dhe t’i bënim një shqyrtesë kuptimit të tyre. “Zhvillimi” nënkupton shkëputje nga parimet; dhe ndonëse është e nevojshme të lëvizim nga parimet në një largësi të caktuar me qëllim që t’i zbatojmë ata, është e një rëndësie jetike të mbetemi pranë tyre aqsa marrëdhënia me ta të jetë plotësisht efektive. Zhvillimi, që këtej, kurrë s’duhet të kapërcejë këtë pikë.
Pararendësit tanë qenë fort të vetëdijshëm që kjo pikë rreziku është arritur në Islam qindra vjet më parë; dhe për ne, që jemi kaq vonë nga komunitetit ideal i Profetit dhe shokëve të tij, rreziku është krejt më i madh. Atëherë, si mund t’ia lejojmë vetes të mos jemi të vëmendshëm? Si mund të mos kemi frikë se po e rrisim largësinë nga parimet aqsa zhvillimi të bëhet degjenerim? Njëmend mund të shtrohet pyetja gjithsa i përket asaj që me krenari shpallet sot si zhvillim: a nuk është në fakt degjenerim?
Sa për “progresin”, gjithsekush duhet të shpresojë progresin, qëkur ky është kuptimi i lutjes sonë ‘Udhëzona në udhën e drejtë’[2]. Fjala zhvillim do përdorur nga njerëzit në të njëjtin kuptim të mirë. Por komunitetet nuk bëjnë progres; nëse do të duhej bërë progres, cili komunitet pati bërë progres më cilësor se komuniteti i parë islamik me gjithë vrullin e tij rinor? Profeti tha: “Më të mirët e popullit tim janë brezi im; pastaj ata që vijnë pas tyre; pastaj ata që vijnë pas tyre.” Mbështetur Kuranit, ne mund të vijmë në gjykimin se me kalimin e shekujve, një ngurtësim i përgjithshëm i zemrave është i pashmangshëm, siç thotë për një komunitet kaloi një kohë e gjatë dhe zemrat e tyre u ngurtësuan; e njëjta e vërtetë do kuptuar gjithaq edhe nga sa Kurani thotë për të zgjedhurit, që ata janë shumë në brezat e hershëm dhe pak në brezat e vonë. Shpresa e bashkësive duhet mbështetur mbi “përtëritjen”, që është “rivendosje”, e jo mbi “progresin” apo “zhvillimin”. Fjala “përtëritje” është përdorur shpesh në këtë konferencë si një lloj sinonimi i turbullt i “zhvillimit”, por në kuptimin e tij tradicional, apostolik, përtëritja është antonim i zhvillimit, sepse ajo nënkupton rivendosjen e diçkaje nga gjallimi parak i Islamit; për këtë është një lëvizje rikthimi. Kjo është një lëvizje në kthim më shumë se një lëvizje para. Përtëritje ka patur nga koha në kohë, shpesh thuajse befasisht, kur një përtëritës është dërguar providencialisht për të ndalur zhvillimin dhe për të kthyer bashkësinë në një marrëdhënie më të ngushtë me parimet.
Për sa i përket “renaissance”, ajo mund të përdoret në të njëjtin kuptim me “përtëritjen”; por kjo fjalë “renaissaince” ka një shoqërim shumë të dyshimtë, sepse lëvizja që u thërrit Rilindja Europiane nuk qe tjetër, nëse e shqyrtojmë me kujdes, veç një përtëritje e paganizmit të Romës dhe Greqisë antike; dhe qe kjo Rilindje që shënoi fundin e qytetërimit tradicional kristian dhe fillimin e këtij qytetërimi modern materialistik. A është “renaissance”, që ne e dëgjojmë se po ngjan sot në shtetet arabe, tjetërfarë nga kjo, apo është e njëjta gjë?
S’ka mes nesh, qoftë arab apo jo-arab, që nuk ngazëllehet nga pavarësimi i vendeve arabe dhe vendeve islame në përgjithësi; dhe u desh shpresuar se ky pavarësim do të na kthente te qytetërimi i ndritur i Islamit. Po çfarë po na shohin sytë? Shohim derën hapur krah më krah ndaj çdo gjëje që vjen nga Europa dhe Amerika pa më të voglin diskriminim. Do patur parasysh se termat mendub (i sugjeruar fort)[3] dhe mekrūh (fort i qortueshëm) e kanë ndërruar domethënien. Kështu, në sytë e heronjve të kësaj “renaissance” të cilën supozohet se po e shijojmë, ajo që do “qortuar fort” është gjithçka ka mbetur nga qytetërimi islamik në udhën e zakoneve[4], si turbani dhe mosrruajtja e mjekrës, sakaq çka është “fort e këshillueshme” është çdo gjë që vjen nga Perëndimi. Vërtet se këtu nuk u dëgjua të thuhej se kjo ose ajo gjë është e qortueshme sepse vjen nga qytetërimi i pararendësve tanë të përzotshëm apo se kjo apo ajo gjë do mbështetur sepse vjen nga Perëndimi. Por po të gjykohet përmes faktesh, gjithsekush mund ta imagjinojë se fjalë të tilla qenë në secilën gjuhë, mendime të tilla u sollën në secilën kokë. Po cili është përfundimi? Përfundimi është rritja e një brezi që është më injorant ndaj praktikave të të Dërguarit të Zotit, dhe më i shkëputur prej tyre se ndonjë brez tjetër që nga shpallja e islamit. Atëherë, si mund ta bekojmë gjendjen e soçme? Dhe si të mos zmbrapsemi nga fjala “renaissance” ashtu si do zmbrapsur nga çdo ogur i keq?
Gjithë kjo qe parathënë nga Profeti. Ai tha: “Ju do t’i ndiqni udhët e atyre që qenë para jush[5] këmbë pas këmbe dhe gjurmë pas gjurme gjersa, nëse ata do të hynin në vrimën e gjarprit, ju do të zbrisnit pas tyre.” Kjo zbritje po merr jetë sot; quhet “zhvillim” dhe “progres”.
Më shumë se një delegat ka përmendur, gjatë kësaj konference, se Islami e ngërthen të gjithë jetën, dhe askush nuk ka dyshime rreth kësaj. Por faktikisht, gjithë sa po ndodh sot në shumë, në mos në shumicën, e vendeve myslimane është se jeta është duke e ngërthyer Islamin — jo përqafuar, pasi kjo është më shumë një kapje për fyti sesa një përqafim. Jeta po e përzë fenë, duke e shtyrë atë në një qoshe të vogëlth dhe duke e shtrënguar atë aq fort sa të mos mbushet dot me frymë.
Po cila është zgjidhja?
Duke i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, le të sjellim në vëmendje aspekte të caktuara jashtësore të qytetërimit — dua të them, qytetërimit islamik — aspekte, funksioni i të cilave qe, dhe sërishmi mund të jetë, të veprojnë si një lëvozhgë për farën, që do të thotë, për vetë fenë. Fabrika e qytetërimit tonë është degdisur larg shembullit të Profetit tonë; veçanërisht domethënës në këtë marrëdhënie ishte fakti se shtëpia e tij ishte një zgjatim i xhamisë së tij. Ja kështu, për 12 shekuj e më shumë, në shumë vende islamike, shtëpitë e njerëzve të tij qenë zgjatime të xhamive. Myslimani i hiqte këpucët e tij kur futet në shtëpi ashtu siç i hiqte ato kur futet në xhami; ai ulej në shtëpi ashtu siç ulej në xhami; ai e zbukuronte murin e shtëpisë së tij me ornamente që i kishte parë në muret e xhamisë; ai nuk do të vinte në murin e shtëpisë së tij një ornament që nuk e kishte parë në murin e xhamisë. Në këtë mënyrë, ai ishte vazhdimisht i rrethuar nga ndërmendësit e dinjitetit dhe përgjegjësive shpirtërore të njeriut; ai vishej sipas të njëjtit parim. Rrobat e tij synonin të shfaqnin dinjitetin e rolit të njeriut si përfaqësues i Zotit në tokë, në të njëjtën kohë ato e lehtësonin marrjen e abdesit dhe ishin në përshtatshmëri të plotë me lëvizjet e namazit. Për më tej, ata ishin një zbukurim për namazin, krejt ndryshe nga rrobat evropiane të cilat i lëvizjet e namazit nga gjithë bukuria e tyre dhe i pengojë ato, ndërsa shërbejnë si mur ndërmjet trupit dhe abdesit.
Gjithë sa përmenda është e përjashtme; por e përjashtmja vepron mbi të brendshmen; rrobat e njeriut dhe shtëpia e tij janë më afër shpirtit të tij se të gjitha gjërat e tjera, sakaq gjurmët e tyre mbi të janë të përjetshme, për pasojë, marramendësisht të fuqishme. Nuk ka dyshim se këto gjëra të përjashtme qenë një ndër sekretet e përkushtimit të thellë mes myslimanëve për dymbëdhjetë shekuj; është kjo që na kthen ne te shprehja se Islami e ngërthen jetën si të tërë. Falë aspekteve të jashtme të qytetërimit mysliman, e gjithë jeta, me thënë të drejtën, qe përshkruar nga feja. Dhe une nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër për krizën e kësokohshme fetare veç rikthimit në atë qytetërim të ndritur funksioni i të cilit është të krijojë një rrethim të vlerë për shpirtin e fesë, një rrethim që e bën relativisht të lehtë përmbushjen e detyrimeve tona rituale. Bashkësia nuk mund të mbahet me lëmoshën e ndoca gjërave që e bëjnë jetën shpirtërore më të lehtë, sepse njeriu u krijua i dobët. Ky kthim mund të kryhet vetëm me përhapjen e shembujve.
Arabë, ju jeni në shtëpinë e Islamit,[6] ku pas pavarësimit ju jeni të lirë të bëni atë që doni; ne po ju shohim nga jashtë asaj shtëpie dhe i kemi shpresat tek ju. Mos na zhgënjeni!
Martin Lings
Përktheu: Vehap Kola
Shënime:
[1] Konferenca në fjalë u mbajt zyrtarisht “në përgjigje të shpirtit të zhvillimit” dhe ka arsye të mendojmë se kishte për qëllim të shërbente si një paralele me Koncilin e Vatikanit.
[2] Citimet nga Kurani janë në germa kursive
[3] Në Islam — dhe njësoj do të qe edhe në çdo fe tjetër — secila nga punët tokësore i përket njerës prej pesë kategorive; e detyrueshme (farḍ), fort e këshillueshme (mendūb), e lejueshme (mubāḥ), fort e qortueshme (mekrūh) ose e ndaluar (ḥarām).Lëvizja armiqësore do ta drejtojë orvatjen e saj përkundër të dytës dhe të katërtës, gjersa ato janë më pak absolute se e para dhe e pesta dhe më të lehta për t’u rrëzuar.
[4] Sunen (nj. sunneh), tradita e Profetit.
[5] Të krishterët dhe hebrenjtë
[6] Dār el-Islām, saktësisht ajo pjesë e botës nën juridiksionin islamik, por këtu përdoret në një kuptim që përfshin çdo shtet që zyrtarisht është islamik,
Burimi: Studies in Comparative Religion, Vol. 2, №4. (Autumn, 1968) © World Wisdom, Inc