E Perceptueshmja dhe e Padukshmja: Kuptimi kuranor i marrëdhënies së njeriut me Zotin dhe realitetet përtej perceptimit njerëzor

Shpërndaje

Perceptimi ynë për të tashmen përbën vetëm një pjesë të vogël të realitetit që na rrethon. Papërsosmëria e perceptimit njerëzor – fakti që njohja e njeriut, sado që ai di, është gjithmonë e varur nga fusha e gjerë e asaj që ai nuk e di dhe madje që nuk mundet ta dijë – është një nga themelet e para të mendimeve fetare. Secila fe adreson realitetin e të fshehtës në vetëdijen njerëzore. Si mund të marrë njeriu njohuri për të? Si lidhet fati i njeriut dhe kuptimi i jetës me të?

Islami shpreh një dikotomi të vetëdijshme ndërmjet dimensionit të realitetit që qëndron në pastrimin e perceptimit të njeriut – dhe pesë shqisave të tij – dhe dimensionit që qëndron përtej këtij perceptimi shqisor. Ai e quan të parën fusha e perceptueshmërisë ose fusha e të dukshmes (‘alam esh-shehada) dhe të dytën e quan sferën e të fshehtës (alam el-ghajb). Të besosh në të fshehtën, sipas Kuranit, përbën kriterin e parë dhe më thelbësor të atyre që kërkojnë udhëzim. Një besim i tillë kërkon, nga ana tjetër, pranimin e tre shtyllave: unitetin absolut të Zotit (et-teuhid), institucionin e profecisë (er-risala; en-nubuva), dhe ahiretin (el-me ‘ad). Por të besosh në të fshehtën nuk do të thotë të njohësh të fshehtën apo të dëshirosh njohuri për të përtej këtyre bazave.

Vetëm Zoti, sipas pikëpamjes së Islamit, është njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes. Njeriu ka mjetet për të njohur dhe kuptuar të përceptuarit dhe Kurani e udhëzon qartë njeriun për ta bërë të perceptuarin objekt të hulumtimeve të tij. Por ai nuk ka asnjë mjet për të kërkuar rreth të fshehtës dhe për të ditur ndonjë gjë në lidhje me të përveçse përmes mënyrës profetike. Sipas Kuranit, vetëm me anë të shpalljes profetike njeriu mund të marrë atë njohurinë përfundimtare (‘ilm). Ashtu si feja e profetëve biblikë, edhe Islami i shpalli mjetet e tjera të ndërmjetësimit midis njeriut dhe të fshehtës si jolegjitime dhe të pavlefshme. Islami shfuqizoi shërbimet e shamanëve para-islamikë, orakujt dhe parashikuesit e të ardhmes. Për më tepër, Islami në këtë proces theksoi një qasje dhe një preokupim me të fshehtën radikalisht të ndryshme nga ajo e shamanëve dhe parashikuesve para-islamë.

Sfondi Arab Para-Islam.

Ekzistojnë prova të mjaftueshme letrare për të treguar se arabët para-islamikë përdorën fjalët el-ghajb (të fshehtën, të padukshmen) dhe esh-shehada (të dukshmen) në një mënyrë të ngjashme edhe pse jo identike me përdorimin e tyre në Kuran. Të dy fjalët përbëjnë një çift semantik, por duket se janë përdorur në një kuptim thelbësisht të kësaj bote; domethënë, el-ghajb iu referua atij dimensioni të realitetit material i cili qëndron jashtë perceptimit të menjëhershëm të njeriut, ose të të ardhmes, dhe esh-shehada i referohet perceptimit të menjëhershëm.

Sidoqoftë, bota e të Fshehtës – mbretëria e Zotit (Allah), perënditë më të vogla, engjëjt (el-mela’ika) dhe shpirtrat (el-xhinn) kishin një efekt të thellë dhe influencë të gjithëpranishme në jetën fetare dhe kulturore të arabëve para-islamikë. Popujt e Arabisë para-Islamike përfshinin fise hebraike dhe të krishtera, zoroastrianët në lindje përgjatë Gjirit Persik, monoteistët arabë indigjenë (el-hunafa) të cilët nuk ishin as hebre, as të krishterë, dhe shumica ishin idhujtarë (mushrikin) që shoqëronin (eshraku) perëndi më të vegjël, engjëj dhe shpirta me Zotin në adhurimin e tyre ndaj tij.

Në përgjithësi, këto fise praktikuan flijime të kafshëve dhe ndërmjetësim me botën shpirtërore për të siguruar përfitime materiale dhe për të shmangur rreziqe. Sakrifica e kafshëve ishte aq e lidhur ngushtë me ndërmjetësimin saqë në thelb mund të thuhet se ishte një pjesë e saj. Përpjekja për të mësuar nga bota shpirtërore dhe për të shfrytëzuar forcat e saj përmes mjeteve të ndërmjetësimit ishte preokupimi kryesor i jetës fetare të arabëve idhujtarë para-islamikë. Objektivat e ndryshme të orakujve, shamanëve, parashikuesve dhe ndërmjetësve të tjerë ishin nxjerrja e përfitimit ose dëmit duke tërhequr pranë Zotit perëndi dhe shpirtra (et-takarrub) dhe duke aksesuar (et-tewassul) në njohuritë dhe fuqitë e tyre.

Megjithëse arabët para-islamikë besonin në Allah, Zotit Suprem, Krijuesin e qiejve dhe të tokës dhe një numri të perëndive më të vogla, të cilëve ata nuk u jepnin atribute të tilla, ata u dhanë xhinëve (shpirtrat e padukshëm të tokës) vëmendje më të madhe në jetën dhe praktikën e tyre fetare. Për ata xhindët kishin një rëndësi aq të madhe saqë as perëndive nuk ua atribuan. Ndërmjetësimi me botën e shpirtrave, “afrimi” (et-takarrub) dhe “gjetja e mënyrave të hyrjes” (et-tewassul) karakterizuan marrëdhënien me xhindët më shumë sesa ndërmjetësimi me perënditë. Kurani sulmon ashpër si adhurimin e xhinëve, ashtu edhe besimin tribal se marrëdhëniet lidhëse midis Allahut dhe vajzave të xhinit kishin prodhuar engjëjt, bijat e Zotit (shih, për shembull, Kurani 6: 100; 34:41; 37: 158; JA 6: 710, 738–39). Besimi se engjëjt ishin bijat e Zotit kishte efektin praktik të ngritjes së statusit të xhinëve në praktikën fetare para-islamike; pasi, sipas mendimit fisnor të asaj shoqërie, kjo do të thoshte që xhini, si më i afërti nga të gjitha qeniet e krijuara me njeriun kishte qasje të veçantë tek Vetë Zoti përmes shërbimeve të mira të bijave të Tij, pra të afërmve të tyre nga nëna.

Arabët para- islamikë i ndanin shpirtrat në dy lloje: në të ligj dhe të papastër dhe në të pastër dhe dashamirës. Megjithëse ndërmjetësimi i drejtohej të dy llojeve të shpirtrave, praktikat kultike dhe rituale doemos përqendroheshin në xhinët e këqij dhe shejtanët (shpirtrat satanikë) të cilët mund të shkaktonin dëm dhe të sillnin kaos. Vetvetiu, për shkak të frikës, ata i kushtuan vëmendje plotësimit të nevojave dhe përpjekjes për të qetësuar shpirtrat e këqij (JA 6: 706, 709).

Shamanët dhe Orakujt.

Arabia para-islame, si tokë e Gjysmëhënës Pjellore, besonte në dy ndërmjetës shpirtërorë, në atë që banonte në botën e padukshme dhe që jepnte informacione rreth saj, dhe në parashikues, të cilët dallonin të fshehtën përmes interpretimit të fenomeneve natyrore. Megjithatë, shamanët dhe orakujt ishin ata që kishin kontakte të drejtpërdrejta me botën shpirtërore dhe duket se kanë qenë më prestigjiozët dhe më me ndikim në Arabinë para-islame ndërsa parashikuesit, që qëndronin në nivele më të ulëta shoqërore, ishin ndoshta më të zakonshëm.

Kahin-i (shaman, parashikues, kahinë femërore-orakull) qëndronte në krye të hierarkisë fetare për arabët idhujtarë para-islamë. Si rregull, kahin-ët vinin nga klanet më të fuqishme brenda secilit fis. Ndikimi i kahin-it rridhte përgjithësisht nga statusi i tij shoqëror brenda fisit, marrëdhëniet e tij familjare dhe farefisnore, forca e fisit të tij dhe suksesi i tij në bërjen e parashikimeve të suksesshme, dhënien e këshillave të shëndosha dhe zgjidhjen e çështjeve të gjyqësore. Në mungesë të një administrate gjyqësore qendrore, gjykimi i një kahin-i varej nga prestigji i tij personal dhe nga mbështetja e anëtarëve të fisit të tij.

Edhe kahin-i edhe ‘arraf-i dhe sahir-i (magjistari), një figurë e ngjashme me shamanin, që kishte kontakte të drejtpërdrejta me shpirtrat, ishin ngushtësisht, megjithëse jo në mënyrë të pandashme, të lidhur me jetën fetare dhe kulturore të idhujtarisë arabe para-islame. Për shembull, idhujt e perëndive kishin kahin-ë të cilët kujdeseshin për mirëmbajtjen e tyre dhe flisnin në emër të tyre. Shpesh kahin-i kryente funksionet e tij brenda shtëpisë ose tempullit në të cilin ishte vendosur një idhull. Shumë kahin-ë gjithashtu punonin në shtëpitë e tyre ose tërhiqeshin në vende të izoluara ose pjesërisht të izoluara për të kontaktuar me shpirtrat (JA 6: 763–71).

Shumica e tregtisë kryhej në fiset arabe para-islamike duke u konsultuar me një ose më shumë kahin-ë. Kryerja e pakteve dhe aleancave, zhvillimi i luftës, fillimi i sulmeve dhe bastisjeve, zbulimi i kriminelëve dhe vrasësve, përcaktimi i lidhjeve problematike gjenealogjike, dhënia e këshillave për martesë me një burrë apo grua të veçantë, ishin çështje që hynin nën kujdesin e kahin-it. Për më tepër, ai ishte kujdestari kryesor i ligjit zakonor dhe fisnor arab; ai zgjidhte çështjet e vështira të trashëgimisë, shërbente si gjyqtar (hakam) në mosmarrëveshjet midis individëve, klaneve dhe fiseve, u bënte thirrje fuqive të orakujve në mënyrë që të përcaktonin çështjet e fajit ose pafajësisë nëse apeloheshin dhe gjithashtu siguronte që gjykimi të ishte në përputhje me precedentët e ligjit fisnor.

Hakmarrja për gabimet e pashlyera, veçanërisht vrasjeve, ishte në vetvete një praktikë pothuajse fetare në Arabinë para-islame, por detyra morale e hakmarrjes (eth-tha’r) nuk konsiderohej legjitime derisa dikush të kërkonte kompensim përmes një gjykatësi, që përgjithësisht ishte një kahin dhe që në të njëjtën kohë kishte dështuar të gjente një të tillë. Fiset gjithashtu u mbështetën në kahin-ët e tyre për t’i paralajmëruar ata për sulme të afërta të armikut, për fatkeqësitë natyrore ose për të parashikuar kohë të mira. Kahin-ët ndonjëherë thërriteshin për të gjetur artikuj të humbur ose kafshë që humbisnin apo vidheshin. (Gjetja e artikujve të humbur ishte më shpesh kompetencë e arraf-ëve.) Kahin-ët shpesh i shoqëronin fiset e tyre në betejë ose në bastisje që të frymëzonin luftëtarët fisnorë për të luftuar me guxim.

Edhe pse kryesisht dhe pa ndryshim Kahin-i ishte një medium shpirtëror,ndonjëherë ai përdorte teknika parashikuese, të nxjerra nga idhuj, nga ekzaminimi i mëlçisë, nga zorrët ose eshtrat e deleve që sakrifikoheshin, nga lëvizjet dhe tingujt e zogjve dhe kafshëve të tjera ose nga fenomene të pazakonta natyrore ose nga interpretimi i ëndrrave. Teknika më e zakonshme e kahin-it ishte sigurimi i informacionit nga një shpirt ose nga perënditë dhe shpirtrat me të cilët ai ishte i lidhur nga lidhje të ngushta personale. Shpirti i afërt me kahin-in më së shumti quhej tabi (ndjekës) i tij ose ra’i (ai që sheh ose shihet), megjithëse u përdorën edhe shprehjet sahib (shoqërues), maula ose ueli (mik i ngushtë, mbrojtës, klient) dhe shejtan (fryma demonike, pa konotacion pexhorativ). Tabi-u dhe tabi-a femërore u përdorën përgjithësisht për të përshkruar një xhin të dashuruar (JA 6: 711–14). Megjithëse disa rrëfime tregojnë për kahin-ë që kalojnë në gjendje ekstaze të vështira dhe shteruese, kahin-ët duket se kanë pasur marrëdhënie shumë të natyrshme me xhinët e tyre të njohur, të cilët mund t’i shihnin (pra, mbase, ra’i-të) edhe pse të tjerët nuk mundeshin. Kahin-i nganjëherë përshkruhet si marrës i informacionit nga tabi-u i tij me anë të frymëzimit ose shpalljes (uahj) dhe shqiptimit të tyre në formën e sa’j, që do të thotë vargje të shkurtra, të rimuara me metrikë të ndryshëm, të karakterizuara nga fjalë të paqarta dhe referenca të paqarta (JA 6: 755–61).

Edhe kahin-i, edhe sahir-i (magjistari) kërkonin një pagesë paraprake e cila quhej el-huluan (nga rrënja “të jesh i ëmbël”). Huluan-i vendosej me anë të pazareve që zhvilloheshin mes kahin-it dhe klientit të tij. Teknikisht, kahin-i e ndante atë me tabi-un e tij. Kështu që, edhe tabi-u duhej të binte dakort me pazarin, e cila ishte një mënyrë që i mundësonte kahin-it të përfitonte edhe në rastet kur lidhja e tij shoqërore me klientët e tij mund të kishte diktuar sipas asaj që ai të ofronte shërbimet e tij për më pak para. Meqenëse tarifat e kërkuara mund të ishin të konsiderueshme, arabët para-islamë shpesh do të testonin efikasitetin e kahin-it duke fshehur një objekt, të cilin i kërkohej kahin-it ta gjente, ose duke bërë pyetje të paqarta për klientin, përgjigjet për të cilat një kahin i zakonshëm nuk pritej që t’i dinte. (JA 6: 761–62).

Magjistarët para-islamikë.

Edhe Kahin-i arab para-islam, edhe sahiri (magjistari) kishin një mënyrë kontakti të drejtpërdrejtë me shpirtrat dhe të dy kërkonin pagesa paraprake të një huluan-i. Por kahin-i kontaktonte me botën e shpirtrave kryesisht për informacione, ndërsa sahir-i përmes mediumit të shpirtrave kërkonte të dëmtonte ose përfitonte. Prandaj, brenda botës para-islame, sahir-i përbënte një nga mjetet më të rëndësishme për të shfrytëzuar fuqitë e fshehura të botës së padukshme. Në dallim nga kahin-ët, magjistarët mesa duket nuk kishin funksione kulturore dhe ritualistike. Sidoqoftë, shtrirja e gjerë e praktikës së tyre mund të nxirret nga referenca të shumta në të gjithë Kuranin në sihr (magji) dhe fjalë të ngjashme. Shpirtrat e afërt të sahir-it ishin xhinë, si ata të kahin-it dhe quheshin me të njëjtët emra: tabi; ra’i, dhe shejtan. Sahir-i u bënte thirrje fuqive të tyre për të prodhuar dashuri ose urrejtje, sëmundje, shqetësim ose halucinacione vizuale. Por magjia në shoqërinë arabe para-islame shoqërohej me ilaçe dhe tibb (mjekësia) arabe qëndronte në kontekstin e saj paraislam për artet medicinale të magjistarit, ku ai që kishte këtë aftësi quhej tabb dhe nganjëherë tabib, ndërsa një person që ishte nën efektin e një tabb u quajt matb ose tabib. Përveç shërimit të një numri të sëmundjeve fizike dhe sëmundjeve të tjera përmes fuqive të tij shpirtërore, sahir-i para-islam konsiderohej gjithashtu i aftë për të kuruar lloje të ndryshme të sëmundjeve mendore, gjë që nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh që arabët para-islamë e shoqëronin sëmundjen mendore me posedimin e shpirtit.

Rraki (manipulues, magjistar) para-islam mbante një pozicion të ngjashëm me atë të sahir-it, megjithëse ai kryesisht siguronte talismanë, hajmali, pajisje dhe teknika të tjera për të mbrojtur klientin kundër magjisë, syrit të keq, etheve dhe sëmundjeve. Sahir-ët më të famshëm të Arabisë para-islame thuhet se ishin nga fiset hebreje dhe besohej se aftësitë e tyre rridhnin nga Babilonia. Megjithatë, në përgjithësi arabët hebrej dhe johebrejtë praktikonin magji, ndërsa shërbimet e kahin-it ishin në thelb të drejta ekskluzive të arabëve (JA 6: 739–45, 751-54, 762).

Parashikuesit apo Shortarët

Parashikuesit dhe teknikat e parashikimit ishin ndoshta më të zakonshme në Arabinë para-islame sesa ndërmjetësimi i drejtpërdrejtë i shpirtrave nëpërmjet kahin-ëve, megjithëse ndërmjetësuesit e shpirtrave, kahin-ët dhe sahir-ët duket se kanë pasur status më të lartë. Arraf-i (ai që di; një emër emfatik) mund të ketë qëndruar në krye të hierarkisë së parashikuesve, megjithëse as profesioni i tij dhe as statusi i tij nuk janë të qartë. Disa arabë para-islamikë, për shembull, me sa duket nuk kanë bërë asnjë dallim midis kahin-it dhe arraf-it. Profeti Muhamed i ndaloi në mënyrë të qartë të dy shërbimet duke nënkuptuar një ndryshim teknik midis të dyve.

Në dallim nga kahin-ët, arraf-ët me sa duket nuk ishin të lidhur me praktikat rituale dhe kultike; ata nuk kishin funksion brenda shtëpive dhe tempujve të adhurimit të idhujve dhe as nuk mbështeteshin tek tabi-të ose ra’i-itë. Një teknikë e parashikuesve (shortarëve) ishte khatt, qw konsistonte në tërheqjen me shpejtësi të një numri vijash të drejta në rërë të butë ose tokë me një instrument të veçantë. Parashikuesi më pas do të fshinte ngadalë vijat. Nëse do të mbetej qoftë edhe një vijë e vetme, fushata do të konsiderohej e padobishme; disa vija tregonin fat të mirë. Arraf-i besohej gjithashtu se kishte aftësinë të lexonte fatin e një personi nga shenjat e trupit të një personi. Shpesh fëmijët u silleshin arraf-ëve për të parashikuar të ardhmen e tyre përmes teknikave të tilla. Arraf-ët gjithashtu gjenin sende dhe kafshë të vjedhura ose të humbura. Interesant është fakti që al-‘Ukkadh, një nga panairet më të rëndësishme vjetore në Arabinë para-islame ishte gjithashtu një qendër kryesore për arraf-ët (JA 6: 772-74).

Idioma arabe para-islame përmbante një numër titujsh të tjerë të specializuar për lloje të ndryshme të parashikuesve dhe teknikat e tyre. Për shembull, ‘a’if ishte teknikë parashikuese që studionte lëvizjet dhe tingujt e zogjve dhe kafshëve dhe lexonte zorrët e kafshëve që do sakrifikoheshin. Shërbimi i zaxhir-it duket se ka qenë i kufizuar në shtënie falli dhe nuk përfshinte kafshë të tjera përveç zogjve (JA 6: 774 -75). Munaxhxhim dhe hazza u aplikuan nga parashikuesit që studionin lëvizjet e yjeve dhe trupave të tjerë qiellorë. Hazi (hebraisht hozeh) ishte i specializuar në el-khatt, megjithëse interpretonte edhe lëvizjet dhe tingujt e zogjve, veçanërisht tingujt e korbit (JA 6: 775-76, 783).

Kahin-ët e veçantë përdornin shigjeta parashikuese të quajtura azlam apo akda në prani të idhujve të tyre të veçantë për të përcaktuar miratimin ose mosmiratimin e perëndisë ndaj çështjeve të caktuara, por njerëzit e zakonshëm mbanin edhe shigjeta parashikuese personale për të cilat mund të këshilloheshin vetë. Në të njëjtën mënyrë, njeriu i zakonshëm do të vëzhgonte vetë fluturimin dhe lëvizjet e zogjve dhe kafshëve që kalonin rrugën e tij në fillim të një fushate dhe nxirrnin përfundime nga ata. Jeta e përditshme e një arabi para-islam ishte me të vërtetë e mbushur me sinjale rrezikshmërie, shumë prej të cilave ishin të zakonshme, si gogësitja dhe teshtitja, të cilat shiheshin si ogure të zeza duke diktuar dëmtime për të tjerët (JA 6: 776–82,786–800).

Islami sulmoi sistematikisht besimin tek orakujt, parashikuesit dhe praktikat apo bestytnitë që lidhen me ta. Ai shpalli ndërmjetësues të tillë dhe praktikat e tyre të ishin taghut (shkelje e rëndë ndaj Zotit), fuqia hyjnore vendosi kundër kahin-ëve duke i cilësuar si “të përzier me njëqind gënjeshtra”. Shërbimet e kahin-ëve dhe arraf-ëve dhe praktikat e sahir-it u bënë të jashtëligjshme. Pagesa e huluan-it u ndalua dhe u konsiderua si mëkat. Muhamedi i udhëzoi ithtarët e tij që të injorojnë ogurët e këqinj dhe të vazhdonin me fushatat e tyre nëse ishin të ligjshme (drejta) duke kërkuar ndihmën e Zotit. Profeti nuk i ndaloi ithtarët e tij të motivoheshin nga shenja të mbara, por ai i udhëzoi ata të gjithë në të njëjtën gjë, që “të linin zogjtë rehat nëpër pemë”. Shigjetat hyjnore dhe të ngjashmet u deklaruan si të neveritshme, përdorimi i tyre në të njëjtën mënyrë tregonte thyerjen e besëlidhjes së dikujt me Zotin. Morali islam i drejtoi muslimanët që thjesht të mbulojnë gojën kur të gogësinin dhe kërkoi që ai që teshtin të lavdërojë Zotin më pas, ndërsa të tjerët kërkonin mëshirën e Zotit ndaj teshtitësit. As teshtima dhe as gogësima nuk u konsideruan të këqija (JA 6: 756-59, 762, 772, 800). Por Islami, përveç këtyre ndalimeve dhe shumë ndryshimeve të tjera të veçanta në zakonet arabe para-islame, transformoi rrënjësisht vetë konceptimin e sferës së të fshehtës dhe të marrëdhënies së njeriut me të dhe botën materiale rreth tij.

Përktheu nga gjuha angleze: Muhamed Kola