Dijetarët sunitë, letër drejtuar Al Bagdadit

Shpërndaje

Është e ndaluar në Islam të lëshohen fetva pa plotësuar kërkesat e domosdoshme për dije dhe mësim. Edhe pas kësaj, fetvatë duhet të respektojnë teorinë juridike islame siç përkufizohet në tekstet klasike. Gjithashtu, është e ndaluar të citosh një pjesë vargu nga Kurani për të përftuar një gjykim pa shqyrtuar çdo gjë që mësojnë Kurani dhe Hadithi lidhur me atë çështje. Me fjalë të tjera, ekzistojnë kërkesa paraprake strikte subjektive dhe objektive sa u përket fetvave, dhe nuk mund të përzgjidhen me qëllim vargje kuranore për argumenta juridike pa shqyrtuar gjithë Kuranin dhe Hadithin.

Është e ndaluar në Islam të lëshosh vendime ligjore rreth çfarëdo gjëje pa zotëruar me kompetencë gjuhën arabe.

Është e ndaluar në Islam të tejthjeshtosh çështjet sheriatike dhe të injorosh shkencat e konsoliduara islame.

Është e lejuar në Islam [për dijetarët] të kenë dallime mbi çdo çështje, përveç atyre themeleve të fesë, që të gjithë muslimanët duhet t’i dinë.

Është e ndaluar në Islam të injorosh realitetin e kohëve aktuale kur përfton vendime ligjore.

Është e ndaluar në Islam të vrasësh të pafajshmit.

Është e ndaluar në Islam të vrasësh emisarët, ambasadorët dhe diplomatët; që këtej, është e ndaluar të vrasësh gazetarët dhe punonjësit e ndihmave.

Xhihadi në Islam është luftë mbrojtëse. Ai nuk është i lejuar pa kauzën e drejtë, qëllimin e drejtë dhe pa rregullat e duhura të luftimit.

Është e ndaluar në Islam të shpallësh njerëzit mosbesimtarë, përveç nëse ai (ose ajo) deklaron mosbesim në mënyrë të hapur.

Është e ndaluar në Islam të dëmtosh apo keqtrajtosh — në çdo mënyrë — të krishterët apo cilindo “Popull të Librit”

Është e detyrueshme që Jaziditë të konsiderohen Popull i Librit.

Rikthimi i skllavërisë është i ndaluar në Islam. Ajo është braktisur me konsensus universal.

Është e ndaluar në Islam të detyrosh njerëzit të konvertohen.

Është e ndaluar në Islam t’u mohohen grave të drejtat e tyre.

Është e ndaluar në Islam t’u mohohen fëmijëve të drejtat e tyre.

Është e ndaluar në Islam të kryhen dënimet ligjore (hudūd) pa ndjekur procedurat korrekte që garantojnë drejtësi dhe mëshirë.

Është e ndaluar në Islam të tortururosh njerëzit.

Është e ndaluar në Islam të shpërfytyrohen dhe gjymtohen të vdekurit.

Është e ndaluar në Islam t’i atribuosh Zotit vepra të liga.

Është e ndaluar në Islam të shkatërrosh varret dhe faltoret e Profetëve dhe Shoqëruesve të Profetit Muhamed (pqmt).

Rebelimi i armatosur është i ndaluar në Islam për çfarëdo arsyeje tjetër përveç mosbesimit të qartë nga sunduesi dhe moslejimit të njerëzve të luten.

Është e ndaluar në Islam të shpallësh një kalifat pa konsensus nga të gjithë muslimanët.

Besnikëria ndaj vendit/atdheut është e lejuar në Islam.

Pas vdekjes së Profetit (pqmt) Islami nuk i kërkon askujt të emigrojë ndokund.

Thënia e Ali ibn Ebi Talib

Nu’ejm ibn Hammad tregon në veprën e tij El-Fiten, se Kalifi i IV, Ali ibn Ebi Talib ka thënë:

Kur të shihni flamujt e zi, rrini aty ku jeni dhe moz lëvizni duart, as këmbët. Që andej do të shfaqen disa njerëz të dobët të parëndësishëm. Zemrat e tyre do të jenë si copat e hekurit. Ata do të kenë shtetin. Ata nuk do të mbajnë as besëlidhje, as marrëveshje. Ata do të ftojnë tek e vërteta, por nuk do të jenë njerëz të së vërtetës. Emrat e tyre atribuime prindërore dhe llagapet e tyre do të burojnë nga emrat e qyteteve. Flokët do t’i kenë të lëshuara si flokët e grave. Kjo gjendje do të vazhdojë derisa të përçahen mes tyre. Që aty, Zoti do të sjellë në jetë të Vërtetën përmes kujt të dëshirojë Ai.

Njerëzit pyesin: mos ndoshta ky përshkrim nga Ali ibn Ebi Talib — që transmetohet nga mësuesi i Buhariut (Nu’ejm bin Hamad) para 1200 vitesh në librin e tij El-Fiten — i referohet ‘Shtetit Islamik’?

A ekziston mundësia që përshkrimi të kuptohet si vijon?

‘Kur të shihni flamujt e zinj’: Flamujt e ‘Shtetit Islamik’ janë të zinj.

‘Rrini aty ku jeni’: d.m.th., muslimanë, rrini aty ku jeni dhe mos u bashkoni me ta.

‘Dhe mos lëvizni duart, as këmbët’: d.m.th. mos i ndihmoni finaciarisht apo me pajisje.

‘Që andej do të shfaqen njerëz të dobët të parëndësishëm’: d.m.th. ‘të dobët’ dhe ‘të parëndësishëm’ në rrafshin e kuptimit të fesë, moralit dhe praktikave fetare.

‘Zemrat e tyre do të jenë si copa hekuri’: d.m.th. ata do t’i vrasin robërit e luftës në mënyrë çnjerëzore dhe do t’i torturojnë njerëzit mizorisht.

‘Ata do të kenë shtetin’: Për pothuajse një shekull, askush nuk ka pretenduar të jetë Kalifat Islam përveç ‘Shtetit Islamik’ aktual në Irak dhe Sham.

‘Ata nuk do të mbajnë as besëlidhje, as marrëveshje’: ‘Shteti Islamik’ nuk e pëmbushi marrëveshjen e tij me fisin Sha’etat pasi fisi u ofroi besën atyre; në të kundërt, ‘Shteti i Islamik’ i theri qindra prej tyre. ‘Shteti Islamik’ vrau edhe gazetarët.

‘Ata do të ftojnë tek e vërteta’: ‘Shteti Islamik’ fton në Islam.

‘Por ata nuk do të jenë njerëz të së vërtetës’: Njerëzit e së vërtetës janë të mëshirshëm. Profeti Muhamed (pqmt) thoshte: ‘Jini të mëshirshëm që t’ju tregohet mëshirë.’

‘Emrat e tyre do të jenë atribute prindërore’: Si: ‘Ebu Muthenne’, ‘Ebu Muhamed’, ‘Ebu Muslim’ e kështu me radhë.

‘Llagapet e tyre do të burojnë nga emrat e qyteteve’: Si: ‘El-Bagdadi’, ‘El-Zarkaui’, ‘El-Tunisi’ dhe kështu me radhë.

‘Flokët do t’i kenë të lëshuara si flokët e grave’: Luftëtarët e ‘Shteti Islamik’ mbajnë saktësisht flokë të tillë.

‘Derisa të përçahen me mes tyre’: Siç janë dallimet ndërmjet ‘Shtetit Islamik’ dhe mëmës së tij Frontit Al-Nusra (Al-Kaeda në Siri). Luftimet ndërmjet të dyve kanë shkaktuar rreth 10 mijë të vrarë vetëm gjatë një viti.

‘Që aty, Zoti do t’i japë jetë të vërtetës përmes kujt të dëshirojë Ai’: përmes një thirrjeje të qartë dhe të drejtë (si kjo letër e hapur).

Lukmani i urtë thotë në Kuran:

“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë. (Kurani, 31:16)

Përktheu: Vehap Kola