Bëhu pjesë: Manifesti ynë feminist

Shpërndaje

Në vitin 1848, Deklarata e Sentimenteve u nënshkrua në Seneka Folls, Nju Jork nga 68 gra dhe 32 burra. Ai qe fillimi i një lëvizjeje që më vonë do të quhej ‘feminizëm’. Ishte një deklarate e çështjeve që shqetësonin gruan perëndimore, çështje të përjashtimit politik, të drejtave të pronësisë, ligjeve të martesës dhe divorcit, dhe çështje të moralitetit dhe përgjegjshmërisë së pavarur.

Në të njëjtin vit, 1848, myslimanët qenë prekur nga periudha kolonialiste. Periudha kolonialiste filloi në Azi, kaloi në Afrikë dhe skaliti shtetet kombëtare të botës arabe pas rënies së Perandorisë Osmane. Kjo periudhe kolonialiste solli me vete një dëmtim të madh të statusit të gruas myslimane në këto vende.

Në Afrikën Perëndimore, gjatë periudhës parakoloniale, gratë përfituan nga depërtimi i Islamit. Ato ishin dijetare dhe aktiviste shoqërore — më e famshmja prej të cilave është Nana Esma’u, e cila qe një shkrimtare pjellore, udhëheqëse dhe edukuese, që zhvilloi një sistem të mësuari që përhapi dijen tradicionale islame nëpër qytete dhe në fshatra.

Përpara kolonialistëve, gratë në Afrikën Perëndimore merrnin pjesë në ekonomi dhe edukimi përfshinte aftësi funksionale dhe të mësuarit fetar. Ogunsheje, një dijetar nigerian, thotë për gratë e kohës parakoloniale, “një grua që që nuk kishte mjeshtëri apo profesion, apo që ishte tërësisht e varur nga burri i saj, jo vetëm që ishte e rrallë, por trajtohej me mospërfillje” (Aliju, 1992).

Gratë, përpara se të vinin kolonialistët në Afrikë, kishin pushtet politik. Në Kalifatin e Osman Dan Fodio, gratë ishin pjesë e pandashme e sistemit administrative që përdorej për të mbajtur ummetin. Në Zaria, Mbretëreshë “Amina” sundonte me sukses dhe e ktheu vendin e saj në një qendër të fuqishme tregtare brenda një qyteti të rrethuar me mure dhe të mbrojtur.

Në subkontinentin e Indisë, gjatë periudhës parakoloniale, gjejmë gjithashtu gra me pushtet politik dhe shoqëror…

Në shekullin e trembëdhjetë, Razia, vajza e Shems ed-Dinit, u emërua Sulltan. Babai i saj ia la sulltanatin asaj sepse e shihte atë më të aftë se djali i tij. Ajo nuk e mori menjëherë trashëgiminë e fronit, sepse vëllai i saj e kundërshtoi, por duke mos qenë njeri religjioz, ai dështoi dhe Razia mori pushtetin. Sulltan Razia (dhe nuk e quaj Sulltaneshë, sepse thuhet që ajo vetë preferonte të quhej Sulltan) ngriti shkolla, akademi, qendra studimi dhe librari publike që përfshinin Kuranin, librat e hadithit dhe librat e filozofëve.

Në botën Arabe, ne gjejmë pafund femra dijetare përfshirë Umm el Khair el Dimashkijjeh, vdekja e të cilës në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë qe prelud i ardhjes së shekujve të kolonializmit dhe errësirës që pasoi në ekspertizën femërore.

Kur Europa sundonte myslimanët, solli edhe qëndrimet ndaj grave dhe rolin e tyre, gjë që nisi të ndryshojë standartin mes myslimanëve.

Për një pjesë, gratë thjesht pushuan së evidentuari si të arsimuara. Sërish në Afrikën Perëndimore, familjet i rezistonit dërgimit të vajzave në shkollat perëndimore të kolonialistëve. Një pjesë vazhdonte t’i shkollonte vajzat në shkenca islame — dhe mund të gjeni një grua me emrin Malimar Asha Dakando si evidencë për këtë. Por, në përgjithësi gratë regjistroheshin si analfabete dhe, në të vërtetë — qëkur qëllimi i edukimit kishte ndryshuar — gratë po e humbnin praninë e tyre publike, çka kishte qenë standarti i jetës së tyre më islame në periudhën parakoloniale.

Periudha ndërmjet shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe njëzetë është periudha e kontributit më të zbehtë të grave në dijen islame në gjithë historinë tonë. Çështje të përjashtimit politik, ligjeve të martesës dhe divorcit, si dhe të përgjegjësisë së pavarur ishin bërë të zakonshme, arsyet për deklaratën e sentimenteve në Shtetet e Bashkuara ishin bërë të shfrenuara për gratë myslimane dhe — megjithëse tekstet origjinale inkurajonin aktivizmin politik dhe social, ligje të drejta dhe të sigurta të martesës dhe divorcit, dhe përgjegjësisë individuale përkarshi Zotit — gratë myslimane e gjetën veten në situata shtypjeje, publikisht dhe privatisht.

Përballë këtij përkeqësimi në të drejtat e grave, aty nga fundi i periudhës kolonialiste, feminizmi nisi të gjente terren për të zënë rrënjë. Ndërsa axhenda të caktuara politike ishin në lojë, kishte edhe disa çështje reale që duan adresuar. Në vend të adresimit të këtyre problemeve shumë reale, sakaq, feminizmi u bë sinonimik me gratë ‘anti-Islame’ apo joreligjioze. Ai u bë perëndimorizim më shumë se sa një vështrim i qartë dhe i ndershëm i situatës politike, sociale, arsimore dhe ekonomike të grave në vendet myslimane. “Feministet” bënin thirrje për heqjen e ‘mbulesës’ apo ḥixhābit — në të vërtetë ḥixhābi vetë u bë simbol i shtypjes. Elementi fetar i’u përgjigj asaj që e perceptoi si sulm mbi moralin e grave dhe teksturën shoqërore, duke bërë një sy qorr ndaj çështjeve reale dhe klisheve epshore për gratë në Islam.

Burrat dhe gratë tona ranë pre e konfuzionit dhe zuri fill një përçarje.

Kjo përçarje — ndërmjet atyre që do ta pranonin fjalën ‘feministe’ si një flamur në ndihmë të çrrënjosjes së sfidave reale që përballnin gratë myslimane nëpër në kurriz Islamit klasik dhe, nga ana tjetër, atyre që refuzonin fjalën feminizëm dhe gjithë çfarë linte të kuptohej prej saj dhe mbanin fjalime boshe për të drejtat dhe përgjegjësitë e grave në Islam, duke injoruar praktikisht problemet e vërteta me të cilat ballafaqohen gratë sot.

Kësisoj, lindi gabimi teologjik. Ne qëndrojmë sot në plasaritjen e pakëndshme të dy pllakave — pllakës së popullatës myslimane që u edukua nën pasojat e periudhës koloniale dhe pllakës tjetër të së njëjtës popullsi myslimane që merr në konsideratë kohën me të errët në diturinë islame — për gratë si edhe për burrat — dhe, kësisoj, sjell në perceptimet tona një nivel të paprecedent injorance.

Kur këto dy pllaka përplasen me njëra-tjetrën, kultura postkoloniale me injorancën, nis tërmeti i problemeve të grave në Islam.

Në të vërtetë, feja jonë i trajton çështjet për të cilat u zhvillua që në zanafillë lëvizja feministe. Islami ofron zgjidhje që janë praktike. Ato nuk kanë hidhësi. Ato përfaqësojnë barazinë dhe drejtësinë në nivelin më të epërm të tyre.

Islami adreson përfshirjen politike dhe shoqërore, çështje të identitetit dhe çështje të ligjit të familjes dhe jetës. Islami nuk ka nevojë për feminizmin perëndimor, as në shtrëngimet e të kaluarës së tij, as në pamjen e tij shumë moderne. Myslimanët, të cilët kanë lejuar mendimin perëndimor të përzihet në perceptimin e tyre të gruas myslimane, mund të përdorin goditjen e feminizmit perëndimor — veçanërisht atë që të çon tek mësymja e zgjidhjeve islame të problemeve tona.

Lëvizja feminist perëndimore ishte e vdekur sikur Sheryl Sandberg, COO e Facebook, të mos kishte publikuar librin e saj në Mars 2013 dhe t’i kishte hedhur benzinë zjarrit. Libri i saj, Bëhu pjesë, ishte magjepsës për mua sepse ajo provonte shumëçka nga ajo që u kisha thënë grave myslimane — ku vetë titulli ishte pika më e rëndësishme në krejt librin.

Bëhu pjesë: për Sandberg, kjo frazë përmblidhte atë që gratë duhet të bëjnë në vendin e tyre të punës; për mua ajo përmbledh gjithë çfarë gratë qenë urdhëruar të bëjnë që në kohën e Profetit (pqmt).

Gratë në kohën e Profetit ﷺ nuk mbështeteshin të prisnin ftesën për t’u ‘bërë pjesë’. Ato nuk uleshin duke vrarë mendjen nëse ishte me vend të merrnin pjesë në shoqëri. Ato ‘bëheshin pjesë’.

Ato u bënë pjesë politikisht — Nusejbah bint Ka’b hyri kur, si një nga dy gratë që dhanë bej‘ah në akabenë e dytë, i dha Profetit ﷺ mbështetje të plotë, duke përfshirë mbështetjen politike dhe ushtarake. Më vonë, do ta shohim betejë pas beteje duke mbajtur premtimin që dha fillimisht. Ajo nuk u mbyll në dhomë duke vrarë mendjen se çfarë duhet të bënte — ajo u bë pjesë dhe dha një premtim dhe, pastaj, bëri diferencën.

Ato hynë me qytetari — El Shifā‘ bint Abdullāh, një muhaxhire, hyri në Islam si shëruese. Ajo i përdori aftësitë e saj mjekësore dhe aftësitë e leximit dhe shkrimit për të hyrë si në shoqërinë mekase, ashtu edhe atë medinase. Profeti ﷺ i mbështeti aftësitë e saj dhe e emëroi mësuese të arteve të shkrim-këndimit dhe mjekimit. Më vonë, ajo do të bëhej pjesë e jetës publike, kur ‘Umar ibn el Khattāb e emëroi atë si ‘ministre të financave’ apo ‘drejtoreshë të tregut’. Ajo u bë pjesë në sferën publike të shërbimit dhe korri sukses në arsim, shëndet publik dhe ekonomi.

Ata u bënë pjesë në nivel shoqëror — Gjatë betejës së Hendekut, Rufejda el Eslemijjeh hapi tendën e spitalit të saj dhe mjekoi të plagosurit. Profeti ﷺ, në shenjë mbështetjeje të plotë për veprën e saj dërgoi Sa’d bin Mu’adhin në tendën e saj spitalore për trajtim, kur qe plagosur rëndë. Rufejda zbuloi një nevojë, u bë pjesë dhe ofroi kujdes.

Ato u bënë pjesë dhe paguheshin njësoj për punën e tyre — Safija, halla e Profetit ﷺ mbrojti shtëpinë (apo fortesën) ku ishte, kur Hasān bin Thābit u tregua i paaftë dhe fitoi pjesë të barabartë në prenë e luftës.

Ato u bënë pjesë fetarisht — Shtëpia e Um Uarakas u bë xhami për gratë në Medinë, ajo kishte ḳirā’et (këndim) të bukur dhe u bë pjesë, kërkoi dhe i’u dha një muezin në shtëpinë e saj.

Në çdo mënyrë që prekim, lexojmë histori të gravë në Mekë dhe Medinë, që bëhen pjesë. Standarti ishte: gratë janë pjesë e pandashme e shoqërisë; ato janë të përgjegjshme; ato duhet të pranojnë punën që u takon dhe të kujdesen për të.

Kur u vendos ḥixhābi — kjo u bë ‘bëhu pjesë’ më e madhe e të gjitha kohërave.

Tashmë grave i’u kërkua të ishin mbartëset e guximshme të fesë së tyre. Atyre i’u kërkua të qëndrojnë në rradhë të parë si përfaqësues të muslimanëve. Që të njihen.

Allahu thotë në Suren el-Ahzab, vargu 59:

“O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos cënohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” [el-Ahzab:59]

Arabët sot bien në gabimin e supozimit se fjalët në Kuran ose në hadith apo sīrah mbartin të njëjtat kuptime që mbartin këto fjalë në përdorimin modern. Fjala xhilbāb është një prej këtyre fjalëve. Nëse kërkoni fjalën xhilbāb në Lisān el ‘Arab — kuintesenca e fjalorëve të arabishtes — do të shihni se fjala është (në këtë kontekst) për khimār — apo shaminë e kokës. Ky varg thotë se shamia duhet të mbahet me qëllim që ne të njihemi, en ju‘rafne.

Ekzistojnë shpjegime mendjelehta që njerëzit pëlqejnë t’i përhapin gjithandej për arsyen pse gratë veshin ḥixhāb në Islam. Ato janë kryesisht histori irrituese për diamantë, perla dhe portokalle — duke i barabitur gratë me objekte dekorimi apo copa frutash. Por, nëse heqim interpretimin njerëzor ne zbulojmë se Allahu Vetë e ka paraqitur qartë arsyetimin e ḥixhābitQë të njihemi.

Si një ekip sportiv — ne njohim njëra-tjetrën.

Si një mjedis etnik — ne ndjehemi rehat me njëra-tjetrën.

Si një flamur që ngrihet në fushën e betejes — në dalim me guxim çdo ditë — në çdo vend të botës — dhe përfaqësojmë Profetin tonë ﷺ — fenë tonë. Ne përfaqësojmë burrat tanë, të cilët përzihen shumë shpesh me mjedisin, si dhe përfaqësojmë gratë tona të cënuara të cilat kanë nevojë për aktivizmin tonë. Ne përfaqësojmë çdo grua me besim, të pasigurtë si ta shprehë bindjen e saj së jashtmi. Ne mbajmë shami që të mund të njihemi.

Pjesa e dytë e vargut, ‘të mos cënohen’, nuk është garancia jonë për një jetë të përsosur. Kjo nuk do të thotë që nuk do të marrësh fjalë lënduese nga një shpirt injorant; nuk do të thotë se nuk do të qesëndisesh, apo edhe se nuk do të jesh e shtypur. Në të vërtetë, nëse hedhim vështrimin në shembullin profetik, kuptojmë se as burrat as gratë nuk i ikën dhimbjes fizike, apo situatave të rrezikut për jetën. Në Mekë dhe më vonë në Medinë, shumë lehtë gratë e vinin veten në rrezik për të mbrojtur besimin e tyre; ata e bënin këtë me miratimin dhe mbështetjen e Profetit ﷺ — gra në fushëbetejë si Um Selemeh dhe Nusejbah bint Ka’b, gra në mision si Esmā bint Ebi Bekr dhe Rufejdah el Eslemijjeh, gra që thanë të vërtetën pa frikë dhe rrezikuan mjerimin personal si Um Sulejm dhe gra që rrezikuan mirëqenien e tyre emocionale si Zejneb bint Muḥammed ﷺ.

Pra, qëllimi nuk është për të mbrojtur gruan fizikisht apo emocionalisht, por më saktë shpirtërisht dhe psikologjikisht. Çfarë e forcon më shumë qenien e një gruaje është një ndjenjë identiteti. Duke veshur ḥixhābin — pavarësisht nga burrat e jetës së saj, shoqëria në të cilën jeton, pavarësisht nga çdo gjë, por nga bindja pesonale — ajo i jep vetes një shtresë force dhe mbrojtjeje që nuk mund të depërtohet nga askush. T’u japësh grave këtë forcë është në vetvete fillimi i zgjidhjes së disa çështjeve serioze mes nesh. Sidoqoftë, unë e kuptoj se ne kemi shumë më shumë punë për të bërë, sesa thjesht për të vënë një copë tekstili mbi kokat tona.

Gratë në kohën e Profetit ﷺ u bënë pjesë e fesë së tyre. Kur u shpall vargu:

“Gratë duhet të lidhin shamitë e tyre dhe të mbyllin mantelet e tyre” [Nūr: 31], rrëfehet nga ‘Ā‘isha se gratë shqyen cohat e qendisura, coha që zbukuroheshin me pamje çadrash — me fjalë të tjera, coha të stilizuara që sigurisht kishin vlerë për gratë, si për kohën e harxhuar duke i qendisur, ashtu edhe për paratë e investuara në blerjen e tyre. Ato i grisën këto coha dhe u mbuluan me to. Ngjashëm, myslimanët derdhën verën në rrugë kur u shpall vargu për ndalimin e akolikëve. Askush nuk u përpoq të kërkonte dikë që t’i merrte leje për këtë, as nuk vunë në dyshim interpretimet e tyre të vargut. E kuptuan. I shkuan deri në fund. Ata u bënë pjesë. Ne ndjekim gjurmët e tyre kur, edhe ne bëhemi pjesë dhe përqafojmë këtë flamur të fesë tonë, këtë ḥixhāb.

Me frazën ‘bëhu pjesë’, feminizmi perëndimor ka gjetur një të vërtetë — të vërtetën e përgjegjësisë individuale. Gra, bëhuni pjesë! Kjo është jeta juaj, feja juaj, familja juaj, vendi juaj, puna juaj — vetëm ju do të merreni në llogari. Bëhuni pjesë.

Në këto rrethana, do të dëshiroja të bëhesha pjesë në një mënyrë që shpresoj të kënaqë audiencën femërore dhe mbase të japë një farë këndvështrim audiencës mashkullore.

Do t’u flas burrave. Për vite me radhë, grave u është dashur të durojnë burrat të na tregojnë të drejtat dhe përgjegjësitë tona. Ky nuk është shpagim — por mbase pak, po.

Unë këshilloj dhe dëgjoj përditë gra që më tregojnë rrëfenja mjerimi. Disa prej atyre problemeve janë shkaktuar nga mendjelehtësia e tyre, ose shpeshherë problemet e tyre janë thjesht ḳader që duhet përballur. Për një numër disproporcional i atyre problemeve burojnë nga ju — burrat e jetës tonë.

Do të supozoj se asnjë prej jush nuk është shkaku i atyre problemeve — por, si burra, ju keni komunikim me burrat të tjerë që nuk janë këtu dhe që janë sherrxhinjtë. Ju kërkoj të krijoni një kulturë që përfshin sa më poshtë:

Një: Bëhuni pjesë e mjedisit tuaj shtëpiak.
Boll u ankuat për shtëpinë tuaj. Gratë nuk e pëlqejnë angarinë. Larje-shplarjet janë angari. Hedhja e mbeturinave është angari. Larja e enëve është angari.

Shpesh thuhet se Profeti ﷺ ndihmonte në punët e shtëpisë. Hadithi nuk thotë “kāne jusāʿid fī bejtihi”, por thotë “kāne jaʿmel fī bejtihi”. Kjo është një diferencë semantike, por është një dallim i rëndësishëm.

Të thuash se ai punonte në shtepi, siç punon secili prej jush në shtëpi është të marrësh përgjegjesinë e shtepisë. Të thuash ai ndihmonte do të thotë se ai është djalë i mirë ‘sepse ai e merr vetë peshqirin…’

Punët e shtëpisë nuk janë detyrim islam i gruas myslimane. Në të vërtetë në medh’hebin hanefi, burrit mysliman i kërkohet ta lirojë atë nga detyra të tilla duke punuar në shtëpi, dhe nëse ai nuk e bën këtë, të paktën ta kompensojmë atë për punët, nëse ajo i bën.

Pra, imagjinoni mëkatin që pëson burri që jo vetëm nuk punon në shtëpi, nuk jep ndihmën e tij në shtëpi, dhe nuk paguan për punën e kryer, por edhe angohet dhe psherëtin për gjendjen e shtëpisë, apo përdor gjendjen e shtëpisë për të kufizuar hyrjet e daljet e saj, apo akoma më keq, i çirret asaj pse rrobat e TIJ nuk janë larë. Këto janë mëkate që peshojnë dhe varen mbi qafat e burrave tanë sot.

Nisni të imitoni Profetin ﷺ, jo duke ‘ndihmuar’ në shtëpi, por duke marrë përgjegjësi. Ndryshoni kulturan — mbani në mendje se gratë myslimane nuk janë para së gjithash sanitaret tuaja. Gruaja jote nuk është shërbëtorja jote, as nëna jote.

Kështu që, nëse ajo pastron shtëpinë dhe ju keni sirtarë magjikë — sirtare në të cilët, saherë i hap, gjen aty çorape dhe këmisha të pastra — atëhere ju jeni në anën përfituese të bamirësisë dhe vullnetit të saj të mirë. Trajtojeni atë njësoj si do të trajtonit dike që braktis çdo gjë përditë për t’ua bërë jetën më të lehtë për t’u jetuar — duke ia bërë asaj jetën më të lehtë për ta jetuar.

Pra, bëhni pjesë e përgjegjësisë tuaj personale në shtëpi.

Dy: Bëhuni pjesë e zhvillimit të saj personal dhe mbështesni e festojini arritjet e saj.

Dëgjova për një burrë i cili, kur dëgjoi për diplomimin e afërt të gruas së tij, tha: “Mirë, do të kesh më shumë kohë për t’ia kushtuar shtëpisë tani.” Çfarë? Mos ju duket gjë kjo si fjalët e Profetit tonë ﷺ? Apo fjalët e shoqëruesve të tij të afërt?

Shumë gra të reja më tregojnë se kur u thonë të interesuarve për t’u martuar “do të doja të punoja në fushën time”, marrin si përgjigje: “Nëse i kë bërë punët e shtëpisë”, përgjigje që thotë se shpresa jotë për të dhënë kontribut nuk ka vlerë për mua.

Profeti ynë ﷺ dhe selefët e hershëm kishin vlerësime me tepri për mbështesnin njerëzit për arritjet e tyre, gra apo burra qofshin.

Profeti Muhamed ﷺ thoshte për Hatixhenë: “Ajo më besoi kur askush s’më besonte; ajo besoi të vërtetën kur njerëzit mendonin se isha gënjeshtar; ajo më mbështeti me pasurinë e saj kur askush nuk më jepte; dhe Allahu më dha fëmijë prej saj dhe prej askujt tjetër.” [Musnedi i Imam Ahmedit, vëll.5:116]. Ai ﷺ nuk zbehu besnikërinë e saj si ‘normale’, por vazhdimisht e vlerësoi me fjalët e tij pasi ajo ndërroi jetë.

Ai ﷺthoshtë për Zejneben: “Ajo qe më e mira e bijave të mia, ajo vuajti për shkakun tim.” [Mexhme‘ el Zeuā‘id, vëll.9:37]

Umer ibn Khattābi thoshte për Um Selemen: “Kushdo që ka një nënë si Um Selemja, le të vijë tek unë”, dhe e thoshte këtë sepse kishte vendosur një pagë për të sepse ajo ishte mësuese fiḳ’ḥu.

Profeti ﷺ e njohu suksesin profesional të el-Shifā‘së dhe e pagoi atë që t’i mësonte Hafsasë shkrim dhe këndim, duke kërkuar që t’i mësonte artin e shërimit.

Kur Fatimeja, bija e Profetit Muḥamed ﷺ hynte në dhomë, ati i saj — Profeti i krejt njerëzimit — ngrihej në këmbë për ta përshëndetur dhe i bënte vend të ulej pranë vetes.

Ai ﷺ i shprehte fjalë përkrahjeje Safijes, duke u folur të tjerëve për të me fjalët: “Ajo e ka përqafuar dhe përsosur Islamin e saj.” [el Tabaḳāt el Kubrā, Vëll. 8:126]

Ai fliste me vlerësim për forcën dhe përkushtimin, kur ai ﷺ tha për Nusejben bint Ka’b: “Saherë kthehesha në të djathtë e në të majtë e shihja duke luftuar për të më mbrojtur.” [el Tabaḳāt el Kubrā, Vëll.8:146]

Pa ndërprerë, ne dëgjojmë histori mbështetjeje dhe festimi për arritjet e grave — pra mos u bëni njerëzit që i dalin në rrugë jetesës së një jete të vërtetë të vajzës, gruas, motrës apo nënës tuaj.

Paguani për shkollim shtesë, për më shumë diploma.

Kujdesuni për fëmijët që ajo të mund të ndjekë mësimet — mos e prisni me humor të keq kur të kthehet.

Paguani një kujdestare për t’u kujdesur për ta dy herë në jave ndërsa ajo i përkushtohet komunitetit dhe i jep kohë të mësuarit.

Jini supi ku ajo mbështetet, personi që qesh me të, personi që ajo e di se do t’i qëndrojë pranë.

Jini siç ishte Profeti ynë ﷺ.

Bëhuni pjesë e zhvillimit të saj personal.

Tre: Bëhu pjesë e jetës shpirtërore dhe jetës së gëzueshme.
Krijoni një calendar serioz adhurimi për veten tuaj. Mjaft më me mjerimin e lutjeve farḍ që janë zakoni i pjesës më të madhe serioze të ummetit tonë. Është koha të ngrihemi natën. Ne si ummet duhet të rikthejmë më të rëndësishmen lutje sunnet. Duhet të tregojmë vëmendje ndaj Allahut kur Ai na thotë:

“Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj…”

Dhe kur thotë në Suren el Insan:

“Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe, natën falju gjatë Atij.”

Dhe në Suren el Isra,

“Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” [el-Isra: 79]

Ne duhet të vijmë në këtë lutje si Temīm bin Eus, i cili, kur humbte namazin e tehexhudit vetëm një natë të vetme, pendohej për një vit të tërë; duke u falur gjatë gjithë natës, çdo natë.

Rezultati i kësaj pjesëbërjeje shpirtërore do të jetë gëzim.

Sillni gëzim në shtëpinë tuaj.

Buzëqeshni. Bëni përpjekje të ndërgjegjshme për të buzëqeshur.

Thoni faleminderit. Falenderojeni bashkëshorten, nënën, motrat për gjërat e mrekullueshme që bëjnë.

Komplimentojini. Gjeni diçka të këndshme për të thënë, përditë.

Festoni. Gjeni arsye për të bërë dhurata — Profeti ﷺ thoshte”teḥaddū, teḥabbū” do të zbuloni që një shtëpi më e lumtur është një shtëpi ku bëhen shumë dhurata.

Lexoni Kuran në shtëpi, luani, buzëqeshni dhe qeshni. Sillni shembullin profetik në shtëpitë tuaja. Mbushni me gëzim.

Bëhuni pjesë e familjeve tuaja me kalendarin tuaj të adhurimit dhe me buzëqeshjet, falënderimet dhe festimet.

Në fund:

Gjendja e grave myslimane sot nuk është ajo që do të pranohej nga Profeti ynë i dashur ﷺ. Në kohën e tij, ai e ktheu shoqërinë patriarkale përmbys: mbështeti gratë në ushtri, gratë në punë, gratë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe publike. Sepse jemi fe — dhe jo thjesht një teori shoqërore — çështja themelore për burrat dhe gratë ishte — dhe mbetet — marrëdhënia e tij dhe saj me Allahun. Me qëllim që të jetonin një jetë të tillë, ai ﷺ i mësoi të gjithë shoqëruesit e tij të ‘bëhen pjesë’.

Përballë kulturës postkoloniale dhe injorancës se pashembullt, gratë — dhe burrat — duhet të imitojnë këtë sunnet dhe të fillojnë të ‘bëhen pjesë’ edhe një herë.

*Ne duhet të mësojmë dhe të kërkojmë dituri. Burra! Bëhuni nxitësit më të mëdhenj të bashkëshorteve, nënave dhe motrave tuaja. Harxhoni para për edukimin e tyre. Mos e lini veten të paduruar për shërbimet e pakta në shtëpi. Kujtoni se gratë nuk u krijuan për të larë rrobat, por për të adhuruar Allahun dhe për t’i shërbyer njerëzimit, si ju. Ndiqni gjurmët e Profetit Muḥammed ﷺ dhe jini ai lloj burri që flet me krenari për gruan e tij, apo për femrat e familjes suaj: “Mësojeni fenë tuaj nga ky njeri.”

Burra dhe gra, bëhuni pjesë — mësoni arabisht, memorizoni Kuran — festoni fitoret e njëri-tjetrit. Merrni diploma, studioni Islamin, mësoni në mënyrë të organizuar. Ndiqni kolegjin Zejtuna, ndiqni kurset online të Rabata-s.

*Bëhuni pjesë me ḥixhāb. Burra! Nuk mund të detyroni një njeri të zakonshëm të mbajë flamurin e luftës, pasi po nuk e mbajti fuqishëm, e gjithë ushtria do të vuajë. Pra, mos jini si ata që i detyrojnë gratë tuaja të veshin ḥixhāb — megjithatë — kini kujdes të mos jeni si ata që e pengojnë atë. Mos jini si ata që kundërshtojnë dëshirën e saj për ta mbajtur atë flamur. Gra! Bëhuni pjesë e përgjegjësisë. Visheni dhe jini krenare. Ti nuk je portokalle. Ti nuk je diamante. Ti je grua myslimane. Ngrihu dhe njihu.

Le të miratojmë deklaratën e sentimenteve me deklaratën tonë — deklaratën e sunnetit. Të mos ikim nga fjala ‘feministe’, por të pranojmë prej saj çfarë është e vlershme për rrugën tonë.

Të bëhemi pjesë — dhe të jemi, përfundimisht dhe përsëri, besimtarë — burra dhe gra njësoj.

Përktheu: Vehap Kola